×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi i ZKM-së

    Bislimi pas takimit me Sorensen: Plan sekuencimi të drejtë dhe të barabartë mes palëve për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Reporteri
    17 Mars 2025 | 16:55

    Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në vizitën e parë zyrtare të emisarit të ri në Kosovë.

    Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se ai shoqërohej në këtë takim dhe nga Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

    “Zëvendëskryeministri Bislimi e njohu në fillim të takimit emisarin Sorensen me progresin që ka shënuar vendi përgjatë viteve dhe mundësive për zhvillim që ofron Kosova, duke veçuar sektorin e teknologjisë së informacionit dhe moshën mesatare të re të popullsisë si aset të rëndësishëm. Nga ana e tij, Sorensen e uroi zëvendëskryeministrin për procesin zgjedhor në zgjedhjet e fundit të 9 shkurtit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim u bisedua mbi një sërë temash, me fokus në rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Implementimit i Ohrit duhet të zbatohen në tërësi përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve. Ai vlerësoi edhe qëndrimin publik të Bashkimit Evropian se sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është shkelje e marrëveshjes.

    Tutje, zëvendëskryeministri ngriti shqetësimin dhe e informoi emisarin Sorensen mbi përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar ndihmat financiare të qeverisë së Republikës së Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sorensen për vizitën e bisedën e sotme, duke shprehur edhe vullnetin e tij për bashkëpunim të frytshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!