Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se janë konfiskuar edhe 55 mijë euro para të gatshme në rastin e biznesmenit, Granit Gojani, pronar i kompanisë “GG Exclusive”, i arrestuar për veprën penale “Mashtrimi”.
Kjo sasi e parave Prokuroria bën të ditur se u sekuestruan gjatë kontrolleve në dy lokacione në komunën e Gjakovës. Prokuroria ka iniciuar rast për veprën penale “Shpëlarje e parave”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik dhe të dëmtuarit në çështjen penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale ‘’Mashtrimi’’ nga neni 323 par.4 se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., me datë 12.03.2025 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka realizuar dy (2) kontrolle në Komunën e Gjakovës, me ç’rast ka sekuestruar edhe pesëdhjetë e pesë (55) mijë euro para të gatshme dhe njëkohësisht ka inicuar rast në lidhje me veprën penale ‘’Shpërlarja e parave’’ nga neni 56 i ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizimit. Rasti vazhdon të mbetet nën hetime dhe ndodhet në fazën finale”, thuhet në njoftim.
Javën e kaluar Prokuroria Themelore në Prishtinë Gojanit i kishte sekuestruar edhe 166 parcela dhe dy banesa në Prishtinë.
Parcelat ndodheshin në komunën e Novëbërdës dhe Graçanicës.
Granit Gojani, që është pronar i GG Exclusive, kompani kjo që merret me ndërtimin e vilave, ishte arrestuar disa muaj më parë.
Ai dyshohet se kishte marrë qindra mijëra euro nga të dëmtuarit për t’iu rregulluar vila druri, të cilat nuk i ka përfunduar kurrë, e disa prej tyre as nuk i ka nisur. /Reporteri.net/