Dënimi me 15 vite burgim që Gjykata Themelore e Pejës shqiptoi dje ndaj gjakovarit Bekim Raja, për porositjen e vrasjes së Ferdinand Gjinit në vitin 2014, ka marrë vëmendje edhe të mediave në Zvicër.
E përditshmja zvicerane ‘Blick’ ka shkruar të premten për aktgjykimin e shpallur të ënjtjen, në të cilin Raja dhe tre personat tjerë u dënuan më 49 vite burgim në total për vrasjen “me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt”.
Ndaj Bekim Rajes, sipas aktgjykimit, u shqiptuan 15 vite burgim për porositjen e kësaj vrasje të cilën e kryen tre të dënuarit tjerë Murat e Avni Sinani dhe Gjon Pnishi. Ky i fundit bashkëpunoi me Prokuroren Valbona Disha-Haxhosaj e cila dy vite më parë arriti që në të njëjtën gjykatë të dëshmojë përfshirjen e tij në këtë rast.
Gazeta zvicerane thekson në artikull Bekim Raja, i cili ishte banor i Zvicër, e që u ekstradua vitin e shkuar për tu gjykuar në Kosovë, në shtetin helvet njihej si biznesmen i patundshmërisë, shkruan Reporteri.net.
Po ashtu, ‘Blick’ thekson se 43 vjeçari, bazuar në aktgjykimin e shpallur në Pejë, pagoi 100 mijë franga për tu kryer ekzekutimi i Ferdinand Gjinit, para të cilat u transferuan nga Zvicra në Kosovë, në vitin 2012.
‘Blick’ nuk e lë pa e potencuar se Raja, me biznesin e tij të patundshmërisë në Luceren, kishte pasur probleme me ligjin edhe në Zvicër.
Në përshkrimin e rastit, gazeta zvicerane shkruan se Raja, para se të porosiste vrasjen me pagesë, përveç me viktimën Ferdinand Gjini kishte pasur mosmarrëveshje edhe me një person tjetër që gjithashtu tashmë është i vrarë. Por, ‘Blick’ thekson se kjo vrasje nuk u zbardh kurrë.
Në ilustrimin e artikullit online, ‘Blick’ ka vënë fotografinë e Rajes në jaht bashkë me ish-deputetin e PDK-së Hajdar Beqaj dhe Nasim Haradinajn e OVL-UCK-së.
Ferdinand Gjini u vra më 23 qershor 2014 në Deçan. Vrasja e tij u krye në pritë. /Reporteri.net/.
Prokurorja sypatrembur nga Peja që zbardhi vrasjen 100 mijë frangëshe