Në kohë krize të energjisë elektrike në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës problemet me rënien e mosfunksionimet e blloqeve nuk po kanë të ndalur, tani para fillimit të dimrit kur nevojat veçse kanë filluar të rriten.
“Blloku B1” i termocentralit “Kosova B”, që ka kapacitete prodhuese prej 260 megavate është jashtë prodhimit që nga dita e mërkure. Por për një gjë të tillë, duket që nuk është i informuar, ose po mundohet ta fshehë personi përgjegjës i termocentraleve të “Kosovës B”, drejtori Luigj Imeri.
Imeri ka thënë se “Kosova B” është duke funksionuar me të gjitha kapacitetet e saj. Ai është shprehur edhe i shqetësuar se pse po kontaktohet për një gjë të tillë duke qenë se sipas tij për këtë punë është zyra për informim e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Madje ai ka thënë që nuk gjendet fare në Kosovë. Pra derisa drejtori Imeri po qëndron në Selanik, “blloku B1” nuk do të jetë në funksion të paktën deri të shtunën.
“Jo nuk është e vërtet, “Kosova B” është funksionale, nuk ka ndonjë problem, nuk e di pse për këtë po kontaktoni direkt me drejtorin kur është zyra për informim për këtë punë”, ka thënë Imeri për InFokus.
Nga ana tjetër, Gazeta Infokus e ka konfirmuar nga tre burime të sigurta nga aktere të përfshirë në proces dhe nga vetë KEK-u, se blloku B1 i termocentralit “Kosova B”, është ndalur se prodhuari, ditën e mërkurë dhe sipas të njëjtave burimeve planifikohet të kthehet në prodhim në orët e para të së shtunës. Aktualisht në prodhim janë dy blloqe të “Kosovës A” dhe njëri bllok i “Kosovës B”.
Aktualisht nevojat apo kërkesat e qytetarëve për energji elektrike janë rreth 800 megavat. Mirëpo këtë sasi të energjisë elektrike nuk është duke e prodhuar KEK-u. Kështu për përmbushjen e nevojave KEDS në kohë piku është duke importuar një sasi të energjisë elektrike.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë vazhdimisht ka bërë thirrje që na pret një dimër i vështirë e madje këtë javë ajo sërish ka njoftuar për rritje të çmimit të energjisë elektrike bazuar në sipas saj krizën që ka përfshirë të gjithë botën e dhe rajonin.
Ajo këto deklarata i ka bërë në Komisionin parlamentar për Ekonomi. Sipas Rizvanollit, si rrjedhojë e motit të mirë në këtë kohë dhe uljes së kërkesës për energji elektrike, çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie dukshëm. Megjithatë, Rizvanolli tha se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së çmimeve sërish me ftohjen e motit gjatë dimrit.
E sot të njëjtën gjë ka deklaruar edhe, Zyra e Rregullatorit për Energji, sipas të cilëve nuk përjashtohet mundësia që të rritet çmimi i energjisë duke qenë kostot e blerjeve të energjisë kanë pasur rritje të vazhdueshme dhe kjo duhet të reflektohet edhe në tarifa.