×
  • Lajme
  • Lajme

    Boiken Abazi paralajmëron formimin e një partie të re politike në Shqipëri, mohon largimin nga Vetëvendosje

    Reporteri
    04 Tetor 2021 | 11:39

    Boiken Abazi, drejtor ekzekutiv i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, përmes një reagimi në Facebook, ka shfaqur nevojën e themelimit të një subjekti të ri politik, i cili sipas tij do të ndërthurte shtetin zhvillimor me bashkimin kombëtar.


    Reagimi i Abazit, në media u raportua sikur paralajmërim i largimit të tij nga Vetëvendosje, por ai e ka mohuar këtë. Ai ka thënë se Vetëvendosje në Shqipëri nuk është parti politike, por vetëm organizatë e shoqërisë civile.

    Ky paralajmërim i tij, duket si një hap i parë, i avancimit të Vetëvendosjes atje në subjekt politik, qoftë me emër të njëjtë siç kishte ndodhur në Kosovë vite më parë, apo përmes ndonjë emri tjetër, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Vetëvendosje në Shqipëri, pavarësisht se Abazi e cilëson organizatë të shoqërisë civile, kishte marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare atje, por nuk kishte arritur të fitojë asnjë mandat të deputetit.

    “Në Kosovë, çdo tentativë për të instaluar “Zajednicën” duhet ndalur, ndërkohë që duhet shtuar lufta kundër oligarkisë; në Shqipëri, duhet krijuar një subjekt i ri për shtet zhvillimor e bashkim kombëtar”, ka shkruar Abazi.

    Ky reagim i tij, në media u cilësua sikur distancim nga Vetëvendosje, dhe paralajmërim i themelimit të një partie politike atje, por kjo u mohua nga Abazi.

    “Kjo është rrenë. Unë jam në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Në Shqipëri LVV nuk është subjekt politik, është e regjistruar si organizatë e shoqërisë civile (OJF). Pra, në Shqipëri mungon një subjekt politik që ndërthur shtetin zhvillimor me bashkimin kombëtar”, ka shkruar ai.

    Megjithatë, zhvillimet politike në Shqipëri, fitorja tre herë rresht e Partisë Socialiste, dhe përçarja e thellë e Partisë Demokratike, pas shpalljes person non grata e Sali Berishës, duket sikur ka krijuar besimin, po krijohet hapësira për një subjekt të ri politik, i cili do të mund të pretendonte të shkonte hapave të Vetëvendosjes në Kosovë, për marrë pushtetin vitet në vijim. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!