×
  • Lajme
  • Lajme / Skandali i RTK-së

    Dorëhiqet u.d. e drejtoreshës së RTK-së

    Reporteri
    25 Korrik 2024 | 23:18

    Zana Spahiu ka dhënë dorëheqje nga ushtruesja detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    Burimet e gazetës online Reporteri.net kanë thënë se Spahiu ka dhënë dorëheqje pasi propozimi i saj për suspendimin e Rilind Gërvallës nuk është miratuar dje nga bordi i RTK-së.

    Suspendimin e tij, Zana Spahiu e kishte propozuar të mërkurën në mbledhjen urgjente që ka mbajtur Bordi i RTK-së pas skandalit të RTK-së kur në edicionin qendror të lajmeve, RTK-ja kishte transmetuar një storje duke cituar mediumin boshnjak “Slobodna Bosna”, në të cilin thuhej se “Periskopi” dhe “Nacionale” kontrollohen dhe financohen nga Serbia.

    Bordi i RTK-së, dje përmes një komunikate e kishte quajtur “artikull kontrovers” lajmin. Njëjtë e ka konsideruar edhe sot kryetari i bordit të transmetuesit publik, Besnik Boletini raportimin në “Lajmet Qendrore” se dy media kosovare po financohen nga Serbia.

    Në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, Boletini tregon se po pret “gjetjet” e komisionit Ad-Hoc të krijuar sot për të shqyrtuar situatën e krijuar.

    Sot është krijuar komisioni Ad-Hoc për shqyrtimin e lajmit kontrovers të transmetuar në RTK, i cili është marrë dhe përkthyer nga një medium boshnjak. E inkurajoj komisionin që ta trajtojë sa më shpejtë që të jetë e mundur këtë rast dhe të dal me një raport profesional dhe objektiv dhe rrjedhimisht ai të vij edhe si propozim në bord”, tha kryetari i bordit të RTK-së.

    Në pyetjen se a do të shkarkohet Rilind Gërvalla, drejtori i RTK1 që u denoncua publikisht nga redaktori Jeton Musliu për presion për publikimin në “Lajmet Qendrore” të artikullit të “Slobodna Bosnja”, Besnik Boletini sqaron: “Kam përshtypjen që nga jashtë nuk kuptohen procedurat e vendimmarrjes në RTK. Do të ishte ideale sikur të ishin sikur në sektorin privat. Bordi nuk mund të marrë as edhe një veprim të vetëm pa pasur propozim. Në rastin konkret bordi nuk mund të ndërmarrë asgjë pa e kryer punën e vet komisioni që është emëruar tashmë”.

    Jeton Musliu, redaktor në RTK ka deklaruar të enjten përmes një postimi në Facebook se është përballur me presion për ta publikuar kronikën ku citohet mediumi boshnjak “Slobodna Bosna”, në të cilin përmes një burimi anonim, pa asnjë fakt atakohen dy media kosovare, ‘Nacionale’ dhe ‘Periskopi’, si të “lidhura me Serbinë”.

    Në lidhje me këtë deklaratë të Musliut ka reaguar drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla. Ai ka thënë se linkun e lajmit e ka dërguar, por nuk ka ushtruar presion që të botohet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!