Më shumë se 100 ish-kryeministra, presidentë dhe ministra të jashtëm renditen në 230 personalitetet me profil ndërkombëtar që i kanë bërë thirrje liderëve të G7-ës që të krijojnë një fond prej 66 miliard dollarësh që duhet për të siguruar vaksinimin universal të shteteve të varfëra të globit.
Letra e cila është dërguar nga britanikja “The Guardian”, tek kryeministri Boris Johnson i cili do të jetë edhe mikpritësi i eventit ku do të marrin pjesë shtatë shtetet më të industrializuara në botë. Në letrën e dërguar shkruhet se plotësimi i kësaj kërkese do të ishte “një pikë kthese për bashkëpunimin ndërkombëtar”.
Aktualisht në Afrikën sub-sahariane më pak se 2% e popullsisë ka marrë vaksinat anti-COVID, ndërkohë që në Mbretërinë e Bashkuar kjo shifër ka arritur në masën 70%.
Mes firmosësve të letrës renditen ish-kryeministrat britanikë Gordon Brown, Tony Blair, ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban-Ki Moon, ish-presidentja irlandeze Mary Robinson, liderë afrikanë si Olusegun Obasanja, John Maham, ekonomisti fitues i çmimit “Nobel”, Bengt Homstrom etj.
“Viti 2020 dëshmoi një dështim në nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar, por 2021 mund të lindë një epokë të re. Askund nuk ka siguri nga COVID-19, derisa të gjithë kudo të jenë të sigurt. Mbështetja nga G7 dhe G20 do i bënte vaksinat të aksesueshme për vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta dhe ky nuk do të ishte një akt bamirësie, por në interesin strategjik të çdo vendi dhe do të ishte ashtu siç e konsideron dhe FMN, ‘investimi më i mirë publik në histori’”- shkruhet mes të tjerash në apelin e 230 personaliteteve.