×
  • Lajme
  • Botë

    5 milionë viktima nga Covid-19, gjysma e botës ende nuk e ka marrë një dozë vaksinë

    Reporteri
    03 Tetor 2021 | 20:28

    Koronavirusi tashmë ka shkaktuar 5 milionë viktima në mbarë botën. Këto janë të dhënat e fundit nga agjencia e lajmeve Reuters, e cila shton se njerëzit e pavaksinuar, janë ata që rrezikojnë më shumë tashmë nga varianti Delta.


    Pjesa më e madhe vdekjeve që kanë lidhje me koronavirusin në javën e fundit u regjistruan në Shtetet e Bashkuara, Rusi, Brazil, Meksikë dhe Indi.

    Sipas analizës së Reuters, ndërkohë që u desh i vit për të shënuar 2.5 milionë viktima nga koronavirusi, shifra 5 milionë u arrit në vetëm 8 muaj.

    Javën e kaluar u shënuan rreth 8000 viktima çdo ditë, ose ndryshe 5 viktima çdo minutë. Megjithatë duhet thënë se niveli i vdekshmërisë është ulur në javët e fundit.

    Një fokus i veçantë po i kushtohet programit të vaksinimit, sidomos në vendet e varfëra, shumë prej të cilave ende nuk kanë marrë dozat e para të vaksinave.

    Sipas një raporti të “Our World in Data” më shumë se gjysma e botës ende nuk e ka marrë të paktën një dozë të vaksinës.

    OBSH, gjatë javës së fundit bëri me dije se programi i shpërndarjes së vaksinave Covax, për herë të parë do të shpërndajë doza vetëm për vendet me të ardhura të pakta.

    Momentalisht, në vendin e parë përsa i përket numrit më të madh të viktimave renditet SHBA, me mbi 700 mijë fatalitete, e cila po përballet dhe me një fushatë dezinformimi për procesin e vaksinimit.

    Në të gjithë botën tashmë po mbizotëron varianti Delta, i cili raportohet në 187 nga 194 vende të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!