Presidenti Joe Biden iu kërkoi agjencive në SHBA që brenda 90 ditësh të grumbullojë prova për të dalë në një përfundim në lidhje me origjinën e koronavirusit.
Dy janë skenarët, i pari nëse virusi vjen nga kontakti njerëzor me një kafshë të infektuar dhe i dyti nëse virusi ishte pasojë e një aksidenti laboratorik.
Dhe për skenarin e daljës nga një laborator, gishti është i drejtuar nga Kina.
Por kërkesa e SHBA për një tjetër investigim për origjinën e COVID ka shkaktuar zemërim tek Kina.
Ministria e jashtme thekson se Uashingtoni po përdor teorinë e laboratorit për të mbuluar dështimet e veta dhe për të njollosur shtetin kinez.
“Ekspertët ndërkombëtarë folën mirë për transparencën e Kinës në shumë raste. Sidoqoftë, disa në Shtetet e Bashkuara po bëjnë një sy qorr ndaj fakteve, shkencës, studimit për origjinën dhe reagimit inkompetent në shtëpi duke kërkuar investigim shtesë në Kinë. Kjo tregon që SHBA-ve nuk iu interesojnë faktet apo e vërteta dhe ka zero interes në studimet për origjinën të bazuara në shkencë serioze.
Synimi i tyre është që ta përdorin pandeminë për të na njollosur, manipulim politik dhe tjetërsim të fajit. Ata nuk kanë respekt ndaj shkencës”, tha Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.