Derisa kanë filluar ditët e ftohta dhe qëndrimi më i gjatë në hapësirat e mbyllura, shumë vende evropiane po luftojnë me një rritje të numrit të infektimeve, shkruan Reporteri.
Disa prej tyre kohët e fundit kanë futur masa të rrepta për të frenuar përhapjen e mëtejshme të pandemisë dhe për të parandaluar një kolaps të mundshëm në sistemin shëndetësor.
Restorantet dhe klubet po mbyllen në Skoci
Kështu, deri më 25 tetor, nëse jo më gjatë, të gjitha klubet dhe restorantet në Skocinë qendrore do të mbyllen. Rregullat e reja hyjnë në fuqi nga sot dhe do të zbatohen në të gjitha vendet në Skocinë qendrore, përfshirë Glasgow dhe Edinburg. Në zona të tjera, objektet hotelierike do të lejohen, por alkooli do të shërbehet vetëm jashtë.
Parisi prezantoi një bllokim të pjesshëm
Parisi është duke futur nivelin më të lartë të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që do të thotë se për dy javë, duke filluar nga e marta, të gjitha baret do të mbyllen, ndërsa restorantet do të duhet të zbatojnë masa të reja mbrojtëse për të qëndruar të hapur.
Kujtojmë se restorantet dhe baret u mbyllën në Marsejë për dy javë rreth dhjetë ditë më parë.
Karantinë në Madrid
Rreth 5 milion banorë të Spanjës, shumica prej tyre në dhe përreth Madridit, nuk do të lejohen të largohen nga qytetet që nga e Shtuna për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Më 1 tetor, qeveria spanjolle lëshoi një dokument zyrtar, sipas të cilit masa të veçanta do të futen në të gjitha qytetet me më shumë se 100,000 banorë. Aktualisht ka 11 qytete të tilla.
Midis tyre është Madridi, me rreth 3 milion banorë. Që nga e shtuna, banorët e Madridit dhe nëntë periferive nuk lejohen të largohen lirisht nga qyteti. Policia kontrollon qasjet dhe lejon vetëm ata që kanë çertifikatë për të shkuar në punë, gjykatë, spital apo shkollë.
Një maksimum prej gjashtë personash mund të mblidhen brenda Madridit. Kafenetë, restorantet dhe dyqanet duhet të ulin kapacitetin me 50 përqind dhe të punojnë deri në orën 11:00.
Gjendje e jashtëzakonshme në Republikën Çeke
Gjendja e jashtëzakonshme ka hyrë në fuqi në Republikën Çeke që prej dje për shkak të “ngritjes marramendëse” të infeksioneve me koronavirus.
Qeveria çeke ka vendosur të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, që do të thotë përsëri kufizim të tubimeve dhe rritje të gjobave për ata që shkelin udhëzimet epidemiologjike.
Për sa i përket ngjarjeve dhe tubimeve, numri maksimal i pjesëmarrësve do të jetë dhjetë brenda dhe njëzet jashtë, kufijtë mbeten të hapur.
Brukseli mbyll kafenetë dhe baret për një muaj
Nga nesër në mëngjes, kafenetë dhe baret në Bruksel do të mbyllen për një muaj për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit. Restorantet mund të qëndrojnë të hapura.
Frankfurti ndalon konsumimin e alkoolit në vende publike
Kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi një javë më parë masa të reja për të frenuar përhapjen e Covid-19.
Një nga këto masa është kufizimi i numrit të njerëzve në hapësira private dhe publike. Në zonat ku janë regjistruar më shumë se 35 infeksione për 100,000 banorë brenda shtatë ditëve, numri i njerëzve të lejuar në ahengje private do të jetë i kufizuar në 25 dhe numri i njerëzve në ahengje në vendet publike do të jetë i kufizuar në 50.
Qyteti i Frankfurtit tashmë ka futur masa të reja, duke përfshirë ndalimin e pirjes së alkoolit dhe kufizim të lëvizjes. Alkooli nuk do të mund të konsumohet më në vende publike, dhe ora e ndalimit zbatohet nga ora 22:00 deri në ora 18:00.
Numri më i madh i të infektuarve në Portugali që nga Prilli
Më shumë se 1.000 raste të reja të reja me koronavirus janë konfirmuar në Portugali në 24 orët e fundit. Ky është numri më i madh i të infektuarve në këtë shtet që nga muaji prill, shkruajnë mediat e huaja, transmeton Reporteri.
Sipas të dhënave të shërbimeve shëndetësore, 1,278 të infektuar të rinj u konfirmuan ditën e kaluar, gjersa 10 të infektuar vdiqën.
Në Portugali, hera e fundit që u regjistruan më shumë se 1.000 raste të reja ishte në 10 Prill, kur vendi ishte në karnatinë.
Numri rekord i të infektuarve në Slloveni
Në Slloveni, është regjistruar një numër rekord me 356 infeksione të reja me koronavirus në 24 orë, që është pothuajse dy herë më shumë se një ditë më parë, kur u konfirmuan 189.
Në një konferencë shtypi, Kryeministri Janez Jansa paraqiti situatën aktuale epidemiologjike në vend dhe planin e qeverisë për veprim në këtë dhe fazat e ardhshme të epidemisë. /Reporteri.net