Presidenti amerikan, Joe Biden, duke folur nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë theksoi të dielën nevojën për bashkim pas atentatit ndaj rivalit të tij republikan, Donald Trump.
Biden tha se sulmi ndaj Trump është një “thirrje ndaj të gjithëve ne, që të reflektojmë”.
“Fatmirësisht Trump nuk u lëndua rëndë”, tha ai.
Biden paralajmëroi lidhur me rreziqet e dhunës politike në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se dhuna nuk është zgjidhje.
“Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune – për asnjë lloj dhune. Në demokracinë amerikane, argumentet paraqiten në mirëbesim. Në demokracinë amerikane, respektohet sundimi i ligjit”, tha Biden.
Gjatë një tubimi në mitingun e Donald Trump në Pensilvani, një sulmues qëlloi disa herë nga një “pozicion i ngritur” drejt skenës përpara se të vritej nga agjentët e Shërbimit Sekret.
Trump u qëllua nga një plumb në veshin e tij të djathtë.
Ai falënderoi autoritetet e zbatimit të ligjit në fjalët e tij të para pas sulmit dhe shprehu tronditjen dhe ngushëllimet për të pranishmit e vrarë ose të plagosur.
Të shtënat janë duke u hetuar si një atentat.
Katër presidentë amerikanë janë vrarë dhe disa u kanë shpëtuar atentateve.
Shumë kandidatë presidencialë janë vënë në shënjestër, disa prej të cilëve kanë humbur jetën.
Biden dhe ekipi i tij po përpiqen të modifikojnë mesazhin e fushatës pas atentatit ndaj Trump.
Disa orë pas atentatit, fushata e Biden tërhoqi reklamat televizive dhe po pezullon komunikimet e tjera politike.