Gati një javë pasi talebanët pushtuan kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin, Presidenti amerikan, Joe Biden ende nuk ka ofruar një shpjegim pse administrata e tij nuk arriti të parashikonte rezultatin që zyrtarët ushtarakë dhe ata të inteligjencës kanë parashikuar prej vitesh.
Në vend të kësaj, në adresimin e tij publik të hënën, Biden mbajti një fjalim 19-minutësh, në të cilin ai fajësoi ushtrinë afgane, udhëheqjen afgane dhe administratën Trump për katastrofën humanitare që po shfaqet tani.
“Unë qëndroj plotësisht prapa vendimit tim”, tha ndër të tjera ai në fjalimin e tij..
Por nuk ishte zgjedhja për t’u tërhequr nga Afganistani ajo për të cilët kritikët kanë akuzuar Bidenin, shkruan Revista Time, transmeton në shqip Gazeta Online “Reporteri.net”.
Pas gati 20 vitesh luftimesh në katër administratat amerikane e pa një përfundim të dukshëm, vendosmëria e Biden për të mbyllur rolin e ShBA-së në Afganistan nuk ishte arsyeja që ai e gjeti veten përballë krizës më të madhe të politikës së jashtme gjatë presidencës së tij.
Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve pajtohen me vendimin për të tërhequr trupat. Biden zbatoi politikën, e cila u vu në lëvizje nga paraardhësi i tij. Por është mënyra se si Administrata e Biden u tërhoq gjatë procesit, e cila duket e pashpjegueshme në të ardhmen, thuhet në artikullin e publikuar nga Time.
Vendimi për të tërhequr së pari forcat amerikane, avionët dhe armatimin e rëndë, pastaj mbylljen bazave ajrore, para se të bëhet evakuimi përfundimtar i civilëve të rrezikuar ka rezultuar të ishte një strategji katastrofike.
Ky veprim ka lënë shumicën e njerëzve në Uashington të pyesin veten: Si e gjykoi një administratë e udhëhequr nga një president me përvojë të thellë në politikën e jashtme situatën aq keq?, vijon artikulli.
“Kjo është gjëja më e dëmshme që ka ndodhur në presidencën e tij”, thotë Martha Joynt Kumar, drejtoreshë e Projektit jopartiak të Tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë, e cila vuri në dukje mënyrën metodike që Biden ka kryer në shtatë muajt e tij të parë në punë.
“Krejt papritur, ju keni këtë tërheqje katastrofike nga Afganistani dhe pyesni veten se si, në kontekstin e një presidence që ishte menduar aq e mirë që në fillim, ky fund katastrofik i pranisë sonë në Afganistan mund të kishte ndodhur”, shprehet ajo.
Disa orë para se Biden të kishte adresimin publik në Shtëpinë e Bardhë lidhur me zhvillimet në Afganistan, në mediat sociale u shfaqën imazhe ku shiheshin turma të dëshpëruara njerëzish në aeroportin e Kabulit, i cili është bërë i vetmi mjet shpëtimi që kur talebanët rrethuan kryeqytetin dhe ndërprenë rrugët brenda dhe jashtë qytetit.
Mes kaosit, trupat amerikane qëlluan dhe vranë dy persona të armatosur në incidente të ndara në aeroport, sipas Pentagonit. Të gjitha fluturimet u anuluan derisa trupat amerikane dhe turke të qetësonin turmat për të vazhduar fluturimet.
Megjithatë, Biden nuk i mori asnjë nga këto skena afër zemrës. Ai zgjodhi që në vend të kësaj, të shpjegojë pse mori vendimin e tij për të përfunduar luftën më të gjatë të Amerikës, një politikë që tre presidentët e fundit amerikanë e kanë zbatuar dhe fituar.
Chaotic scenes as Afghans attempt to cling to US Air Force plane departing from Kabul
Latest: https://t.co/eRDvQGay6B pic.twitter.com/moOTTuxoF9
— BBC News (World) (@BBCWorld) August 16, 2021
Ndërsa Biden pranoi se kolapsi i qeverisë së Afganistanit ndodhi më shpejt nga sa e kishte parashikuar qeveria e tij, ai nuk arriti të shpjegojë sesi vetëm pesë javë më parë ai kishte qëndruar në të njëjtën dhomë në Shtëpinë e Bardhë dhe parashikoi me mosbesim kontrollin e plotë të talebanëve, shkruan Time, transmeton Reporteri.net.
Fitorja e shpejtë dhe vendimtare e talebanëve mbi forcat afgane ishte faji i vetë afganëve, tha Biden.
“Ne nuk mund t’u sigurojmë atyre vullnetin për të luftuar për të ardhmen e tyre” tha ai. “Amerikanët nuk mund dhe nuk duhet të luftojnë në një luftë dhe të vdesin në një luftë që forcat afgane nuk janë të gatshme të luftojnë për veten e tyre”, u shpreh Biden.
Ai nuk përmendi se ato forca thuhet se ishin të papaguara dhe u penguan nga mungesa e trupave amerikane, avionëve dhe armatimit të rëndë nga vendet strategjike që ata kishin pushtuar për gati dy dekada.
Presidenti tha gjithashtu se ishte me duar të lidhura për shkak të marrëveshjes së negociuar të paqes të administratës Trump me talebanët, e cila përcaktoi një afat kohor për tërheqjen. “Pas 1 majit, kishte vetëm një realitet të ftohtë të zbatimit të marrëveshjes për tërheqjen e forcave tona”, tha Biden, “ose përshkallëzimit të konfliktit dhe dërgimit të mijëra trupave amerikane përsëri në luftime në Afganistan, në dekadën e tretë të konflikt”, vijoi ai.
Megjithatë, Biden tashmë kishte ndryshuar kushtet e asaj marrëveshjeje, duke vendosur që të gjitha forcat amerikane dhe aleate të tërhiqeshin nga Afganistani deri më 11 shtator.
Të gjithë presidentët ballafaqohen me kritikat mbi ta; të gjithë bëjnë gabime në proces. Por Biden është ndër njerëzit më me përvojë që ka mbajtur ndonjëherë detyrën e presidentit dhe përvoja e tij e fortë në politikën e jashtme ishte një pikë e madhe e fushatës së tij, vijon artikulli.
Për më shumë se një dekadë, ai drejtoi Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe u zgjodh Zëvendëspresident i Barack Obamës pjesërisht për shkak të ekspertizës së tij.
Ai e mbushi Këshillin e tij të Sigurisë Kombëtare me burokratë që mburreshin me rezyme mbresëlënëse. Megjithatë, pak nga politikat e administratës Biden në Afganistan kanë shkuar siç ishte planifikuar, thuhet tutje në këtë artikull.
Shtëpia e Bardhë kishte parashikuar që mijëra përkthyes afganë, gazetarë dhe kontraktorë që hipnin në aeroplane dhe të drejtoheshin me siguri të drejt destinacioneve të tyre. Në vend të kësaj, ata po grumbullohen në aeroporte nën mbrojtjen e trupave të armatosura amerikane në aeroportin e Kabulit.
Shtëpia e Bardhë kishte parashikuar tërheqjen e 2,500 forcave amerikane dhe lënien pas të një kontigjenti prej 650 anëtarësh të shërbimit për të siguruar ambasadën.
Në vend të kësaj, rreth 6,000 trupa u dërguan për ti mbrojtur të evakuuarit dhe ambasada u evakuua plotësisht vetëm të dielën në mbrëmje.
Po ashtu artikulli thekson se Shtëpia e Bardhë kishte parashikuar dërgimin miliarda dollarë në vit për qeverinë dhe ushtrinë afgane, një shenjë e një aleance të qëndrueshme. Në vend të kësaj, Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi, qeveria u shpërbë dhe ushtria dorëzoi armët. /Përktheu: Egzona Krasniqi – Reporteri.net/.