×
  • Lajme
  • Botë / Foto/Video

    Dalin pamjet nga ndërtesa ku u përplas avioni me 242 pasagjerë, ishte konvikt mjekësh – raportohet për të plagosur

    Reporteri
    12 Qershor 2025 | 13:26

    Një aeroplan pasagjerësh Boeing 787-8 Dreamliner i Air India, i cili u nis nga Ahmedabad për në Londër këtë mëngjes, u rrëzua disa minuta pas ngritjes dhe ra në një ndërtesë për konvikte mjekësh në kampusin e një spitali mësimor. Sipas raportimeve, avioni, fluturimi AI171, mbante 232 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit.

    “Aeroplani u rrëzua në një ndërtesë që është një konvikt për mjekët”, konfirmoi për mediat zëdhënësi i policisë Jaipal Singh Rathore. Ndërtesa është një konvikt për një kolegj mjekësor që strehon studentë dhe mjekë të rinj që po ndjekin specializimin. Janë publikuar edhe foto që tregojnë pjesën e brendshme të konviktit pas rrëzimit. Shërbimet e shpëtimit po kërkojnë në rrënoja.

    Mediat indiane raportojnë se disa mjekë dhe studentë janë plagosur, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Sipas informacioneve fillestare, avioni humbi ekuilibrin menjëherë pas ngritjes dhe u rrëzua në një zonë të populluar të qytetit, vetëm pak kilometra larg pistës. Zjarrfikësit, policia dhe shërbimet e emergjencës mbërritën në vendin e aksidentit brenda pak minutash, dhe autoritetet lokale ende nuk kanë treguar numrin e viktimave ndërsa kërkimi për të mbijetuarit vazhdon.

    Aksidenti i ka vënë përsëri në qendër të vëmendjes problemet e sigurisë së Boeing, veçanërisht me 787 Dreamliner, i cili ka qenë nën shqyrtim për vite me radhë për një numër të metash teknike dhe prodhuese – duke përfshirë cilësinë e dyshimtë të nyjeve të trupit të avionit dhe përdorimin e pjesëve të pacertifikuara. Rregullatorë të shumtë ndërkombëtarë kanë nisur hetime dhe punonjësit e Boeing e kanë kritikuar publikisht kompaninë për neglizhencë ndaj procedurave të sigurisë. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!