×
  • Lajme
  • Botë

    Deklaratat e Trump për dëbim masiv, shtetet e kontrolluara nga demokratët masa për mbrojtjen e emigrantëve

    Reporteri
    22 Dhjetor 2024 | 21:39

    Duke marrë parasysh premtimin e Presidentit të zgjedhur republikan Donald Trump për dëbim masiv të emigrantëve të paligjshëm nga Shtetet e Bashkuara, disa kryebashkiakë në shtetet e kontrolluara nga demokratët, po ndërmarrin hapa për t’u përgatitur për politikat e reja. Kjo pritet të shkaktojë një përplasje me administratën e re të Trump, e cila vjen në pushtet më 20 janar.

    Kryebashkiaku demokrat i Nju Jorkut Eric Adams njoftoi se qendra e strehimit të emigrantëve në Floyd Bennett Field do të mbyllet deri më 15 janar. Ajo ndodhet në një park kombëtar, ku juridiksionin e kanë autoritetet federale, jo zyrtarët e qytetit.

    “Ne kemi qenë të shqetësuar për fatin e qendrës në Floyd Bennett Field që nga dalja e rezultatit të zgjedhjeve. Ajo është e vetmja qendër strehimi për emigrantët në tokë federale dhe ne mendojmë se mund të jetë në rrezik nga administrata e re”, thotë Kathryn Kliff nga organizata Shoqëria e Ndihmës Juridike.

    Në intervistat e fundit, Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka sinjalizuar se ai do t’i japë përparësi forcimit të kontrolleve në kufi për të frenuar hyrjen e emigrantëve pa dokumente dhe dëbimin e tyre. Udhëheqësit demokratë po bëjnë përpjekje për mbrojtjen e emigrantëve pa dokumente përpara se ai të marrë detyrën.

    Ndërkohë, emigrantët pa dokumente kanë shprehur shqetësim nga thirrjet për dëbimin e tyre nga administrate e re.

    “E shoh që ai është një njeri që e bën atë që thotë dhe e mban fjalën. Do të shohim se çfarë do të ndodhë.”

    José, një emigrant pa status ligjor thotë se beson se veprimet e disa individëve po dëmtojnë padrejtësisht reputacionin e të gjithë emigrantëve.

    “Ka shumë emigrantë, si bashkatdhetarët e mi, që vijnë për të kryer krime dhe për të vjedhur. Kështu që ndonjëherë për veprimet e një personi paguajnë çmimin gjithë të tjerët.”

    José është pjesë e një prej dy valëve më të mëdha të emigrantëve në historinë e Shteteve të Bashkuara. Gjatë administratës së Presidentit Biden, rreth 8 milionë emigrantë hynë në vend. Një valë e ngjashme me të ka ndodhur në vitet 1850, sipas një analize të të dhënave qeveritare të të gazetës New York Times.

    “Mendoj se shifrat që kemi parë në dy vitet e fundit janë historike, kemi patur numrin më të madh të emigrantëve në histori, por ndoshta jo për nga përqindja e tyre”, thotë Erin Corcoran nga Universiteti Notre Dame.

    Përballë këtyre shifrave të larta, kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams po ndjek një qasje më bashkëpunuese.

    Së fundmi, ai u takua me zyrtarin e administratës së ardhshme për çështjen e kufirit për të diskutuar mbi çështjen e emigrantëve.

    “Biseda ishte e përqendruar në çështjen e kapjes së individëve që po kryejnë krime në qytetin tonë. Atyre që janë këtu, u bëjmë thirrje që të zbatojnë ligjin, të vazhdojnë të përdorin shërbimet që ata kanë të drejtë t’i përdorin, si arsimimi i fëmijëve, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja publike, por ne nuk do të jemi një strehë e sigurt për ata që kryejnë akte të dhunshme”, tha ai.

    Veprimet e fundit të kryebashkiakut Adams mund të jenë lëvizje strategjike për të ruajtur një pjesë të kompetencave lokale, sugjeron ekspertja Erin Corcoran.

    “Ai ndoshta është duke e kuptuar se mund të mos jetë në gjendje të frenojë të gjitha operacionet për dëbime masive në qytetin e Nju Jorkut, por nëse ai shihet si bashkëpunues, ai mund të marrë një rol më të madh në përcaktimin e përparësive apo në diskutimet se cilat komunitete mund të mbrohen”, thotë ajo.

    Ndërsa udhëheqësit e shteteve të kontrolluara nga demokratët përqendrohen në mbrojtjen e emigrantëve, mbetet për t’u parë se sa efektive do të jenë përpjekjet e tyre./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!