×
  • Lajme
  • Botë

    Departamenti i Thesarit i SHBA-së më i shpejtë se gjyqësori i Bosnjës

    Reporteri
    07 Janar 2022 | 19:03

    Millorad Dodik, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), emri i të cilit ishte në listën e personave dhe subjekteve të Departamentit amerikan të Thesarit, të cilët, më 5 janar, u sanksionuan për veprime korruptive, përmendet edhe në një pjesë të raporteve të dorëzuara nga Transparency International në Bosnjë dhe Hercegovinë (TI në BeH) për korrupsion të lartë.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione edhe për Televizionin Alternativ, shtëpi mediatike nga Banja Lluka, siç thuhet, për lidhje me Millorad Dodikun.

    Po të njëjtën ditë sanksione janë vendosur edhe ndaj ish-kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial (KLGJP) të Bosnjë e Hercegovinës dhe këshilltarit aktual ligjor të Dodikut, Millan Tegelltija, si dhe ndaj Mirsad Kukiqit, deputet i Lëvizjes për Veprim Demokratik (PDA) në Asamblenë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ata u futën në listë për shkak të “përfshirjes së tyre në aktivitete të rëndësishme korruptive” dhe u është pamundësuar hyrja në SHBA, thuhet në një komunikatë të Departamentit të Shtetit, të nënshkruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

    Transparency International në Bosnjë e Hercegovinë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se e ka raportuar Dodikun për korrupsion që nga viti 2008 dhe për skandale lidhur me ndërtimin e objektit të qeverisë, por edhe për raste të tjera.

    “Në vitet e fundit kemi pasur disa raportime, të cilat mund të mos kenë pasur lidhje me korrupsionin, por sigurisht me keqpërdorimin e pushtetit, nga njëra anë për shkak të kërcënimeve ndaj votuesve, qytetarëve dhe nga ana tjetër, përgjimeve të opozitës… Në rastet e ngjashme, që asnjëherë nuk kanë çuar diku dhe asnjëherë ndaj tyre, prokuroria, në radhë të parë Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës, nuk ka vepruar”, thotë Ivana Korajlliq, drejtoreshë ekzekutive e Transparency International në Bosnjë dhe Hercegovinë.

    Dodik nuk është gjetur asnjëherë para drejtësisë vendore si i akuzuar për vepra të korrupsionit.

    Në vitin 2009, Agjencia për hetim dhe mbrojtje e Bosnjë e Hercegovinës (SIPA) mori në bisedë informative rreth 100 persona, të cilët ndërlidheshin me raportin kundër Millorad Dodikut dhe 15 të tjerëve të dyshuar për manipulim tenderësh, tejkalime të panevojshme të kostove dhe pastrim parash, gjatë ndërtimit të Selisë administrative të Qeverisë së Republikës Sërpska, ndërtesës për Radio Televizionin e Republikës Sërpska dhe pjesës së autostradës E 661 Gradishka – Banja Llukë.

    Ata u akuzuan për dëmtim të buxhetit të Republikës Sërpska dhe shpërdorim të rreth 75 milionë eurove.

    Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ia dorëzoi çështjen Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Republikës Sërpska, e cila pezulloi të gjitha hetimet kundër Millorad Dodikut, në dhjetor të vitit 2011, për shkak të mungesës së provave.

    Ivana Korajlliq thekson se kur bëhet fjalë për zyrtarët më të lartë dhe liderët e partive politike në Bosnjë e Hercegovinë, rastet kundër tyre, madje edhe kur iniciohen procese gjyqësore, zgjasin me vite dhe shpeshherë nuk çojnë në vendime përfundimtare.

     

    “Ata që duhet të ndiqen kanë kontroll mbi drejtësinë. Ajo që shohim në shumicën e rasteve është se të gjitha këto raporte refuzohen menjëherë, urdhrat për të mos kryer hetime jepen automatikisht, ndërkaq që nga ana tjetër, derisa për disa raportime, ndonëse janë dorëzuar më shumë se tre vjet më parë, ne nuk kemi përgjigje”, ka thënë Korajlliq.

    Svetllana Ceniq, ish-ministre e Financave në Qeverinë e Republikës Sërpska (një nga dy entitetet në BeH) dhe analiste ekonomike, beson se me këtë çështje do të duhej të ishin marrë institucionet e Bosnjë e Hercegovinës dhe jo ato amerikane.

    “Do të doja më shumë që me të gjitha këto çështje – me akuza të rënda në shpjegimin – të ishte marrë gjyqësori i Bosnjë e Hercegovinës, që të dëshmohet se ka sundim të ligjit në Bosnjë e Hercegovinë, që të kemi punën e këtyre organeve hetuese dhe kontrolluese dhe jo që dikush tjetër të na thotë se sa i kemi zyrtarët të korruptuar”, tha Ceniq për Radion Evropa e Lirë.

    Milan Tegeltija dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial në dhjetor të vitit 2020, pasi anëtarët e Këshillit votuan konkluzën, me të cilën bënin thirrje për dorëheqjen e tij.

    Në vitin 2019, Tegelltija ishte pjesë e aferës “Patkoi”. Ai ndërlidhej me veprimet korruptive, gjegjësisht, se nëpërmjet ndërmjetësve, përndryshe zyrtarë të SIPA-s, kontraktonte klientë të cilëve duhej t’u “përshpejtoheshin” rastet në gjyqësorin e Bosnjë e Hercegovinës.

    Kjo u publikua në video-regjistrim, por Tegelltija, në fund, është shpallur i pafajshëm, ndërkaq në këtë rast është paraqitur si dëshmitar.

    Në shkurt të vitit 2021, Tegelltija u bë këshilltar i Millorad Dodikut.

    Mirsad Kukiq, duke përdorur pozitën e tij zyrtare si drejtor i kompanisë publike, Miniera Banoviqi, si dhe deputet i Asamblesë Parlamentare, “mori pjesë në aktivitete korruptive duke përdorur ndikimin e tij politik dhe pozitën e tij zyrtare për përfitime personale”, thuhet në deklaratën e Departamenti të Shtetit.

    Aty shtohet se ka informacione të besueshme se Kukiq ka keqpërdorur fondet publike për përfitime personale dhe ka ndërhyrë në vendimet për punësim dhe emërime, për të realizuar përfitime politike.

    Ai është dënuar me një vit burgim nga Gjykata Komunale në Sarajevë për ndërmjetësim në punësim në ndërmarrjet publike.

    Gjyqësori në Bosnjë e Hercegovinë dhe korrupsioni

    Në vitin 2021, në Bosnjë e Hercegovinë u ngrit vetëm një aktakuzë për korrupsion të lartë, për një rast më shumë se 10 vjet të vjetër, sipas Transparency International në Bosnjë e Hercegovinë.

    Bëhet fjalë për rastin e ministres shtetërore të Sigurisë, Sellma Cikotiq, e cila akuzohet se nga viti 2009 deri në vitin 2011, derisa po kryente detyrën e ministres së Mbrojtjes të Bosnjë e Hercegovinës, e ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke favorizuar blerësin në dëm të ministrisë, me rastin e eksportimit dhe shitjes së pajisjeve të tepërta ushtarake të vjetruara.

    Sipas aktakuzës, ajo e ka dëmtuar buxhetin e Bosnjë e Hercegovinës në shumën prej rreth 9,7 milionë KM (rreth 4,85 milionë euro), ndërsa për të tjerët ka siguruar përfitime pasurore disa milionëshe.

    “Kjo flet për efikasitetin, por edhe për qasjen shumë selektive në procedimin e rasteve të korrupsionit. Ne ende kemi afera të mëdha si për shembull atë të Bankës Bobar, ku njerëzit janë ende në gjyq dhe njëkohësisht kryejnë funksione të larta në shtet, për të mos përmendur se përgjegjësit më të mëdhenj në të gjitha këto afera janë të paprekshëm dhe nuk do të përfshihen kurrë në ato aktakuza”, thotë Korajlliq.

    Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës njoftoi më 4 janar se Departamenti i veçantë për krimin e organizuar, krimin ekonomik dhe korrupsionin, në vitin 2021 ngriti aktakuza në 151 raste kundër 278 personave.

    Ky departament merrej me luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit, krimit financiar, si dhe rastet e lidhura me migrimin ilegal dhe kontrabandën ndërkombëtare të emigrantëve.

    Kjo prokurori shton se kanë iniciuar aktivitete në Departamentin kundër korrupsionit, të cilat kanë rezultuar me aktakuza, si dhe me hetime aktive, në të cilat pritet të merren vendime prokuroriale në muajt e ardhshëm.

    Megjithatë, Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës thotë se gjyqësori ka dështuar t’i përgjigjet sfidave të korrupsionit.

    Gjyqtari i kësaj gjykate, Branko Periq, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se për këtë arsye edhe vetë gjyqësori është bërë i korruptuar.

    “Gjyqësori është në rrëmujë, në fakt nuk ka treguar aftësi për t’u marrë me kriminalitetin serioz dhe korrupsionin. Këto janë probleme të sistemit, organizimit dhe aftësive profesionale, si dhe mbështetjes së qeverisë për drejtësinë”, vlerëson Periq.

    Ai përkujton që gjyqësori i Bosnjë e Hercegovinës e ka amnistuar Millan Tegelltijan dhe ka treguar që sistemi nuk është në gjendje që të merret me korrupsionin në gjyqësor e lëre më me korrupsionin në shoqëri.

    Ai shton që Bosnjë e Hercegovina nuk ka mësuar asgjë të re nga shpallja e sanksioneve.

    “Kemi dëgjuar nga administrata amerikane atë që edhe ne vetë e dimë, politikat tona i kanë rrënuar institucionet shtetërore dhe janë shndërruar në organizata kriminale. Shoqëria mbahet mbi korrupsionin, korrupsioni është një vend i zakonshëm i shoqërisë në Bosnjë e Hercegovinë”, thotë Periq.

    Nga Transparency International vlerësojnë se në qoftë se do të listonin zyrtarët që ishin të përfshirë në korrupsion, do të kishin një listë që do të përfshinte pothuajse të gjithë zyrtarët e rangut më të lartë në Bosnjë e Hercegovinë. Ata shtojnë se është pikëpyetje se kush do të mbetej jashtë kësaj liste.

    “Kjo flet më së miri për atë se sa është i pranishëm korrupsioni, si dhe nga ana tjetër, sa pak po bën gjyqësori për këtë çështje. Për vite me radhë, Transparency International ka paraqitur denoncime në prokuroritë e niveleve të ndryshme, në lidhje me format e ndryshme të korrupsionit, që nga abuzimet në prokurimet publike e deri te shpërdorimi i detyrës, madje edhe disa gjëra të tjera që kanë të bëjnë me parregullsitë zgjedhore”, thekson Korajlliq.

    Çka pas sanksioneve?Ceniq vlerëson se “nuk duhet tallur” me sanksionet e reja ndaj Dodikut, sepse, siç thotë ai, politikën e SHBA-së do ta pasojnë të gjitha shtetet që dëshirojnë të mbesin në marrëdhënie të mira me të.

    “Këto janë sanksione të zgjeruara kur është fjala për Millorad Dodikun, sepse për sa i përket Ministrisë së Financave, pra Thesarit, kjo megjithatë është më serioze. Do të thotë, ky është kartoni i dytë i verdhë, do ta quaja kështu, sepse ka një të tretë që eliminon plotësisht”, thotë Ceniq.

    Ajo vlerëson se të qenët në “listën e zezë” të Departamentit të Thesarit, kufizon hapësirën e manovrimit dhe se pas heroizmit fillestar dhe kremtimit të ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, pason kthjellimi.

    Nga Transparency International në Bosnjë e Hercegovinë thonë se kjo nuk do të jetë një nxitje për institucionet e Bosnjë e Hercegovinës për t’u marrë me korrupsionin, por që gjithçka do politizohet dhe përdoret në fushatë elektorale.

    “Vendimtare do të ishte nëse vendet evropiane do t’i bashkoheshin (vendosjes së sanksioneve), megjithëse nuk ka konsensus në nivel të BE-së, por anëtarët individualë kanë mekanizma të caktuar. Kjo do të kishte shumë më tepër efekt për zyrtarët në Bosnjë e Hercegovinë dhe për kompanitë që janë të lidhura me ta”, thotë Korajlliq.

    Ajo vlerëson se lufta kundër korrupsionit është diçka me të cilën duhet të merret vetë Bosnjë e Hercegovina dhe jo dikush nga jashtë.

    Kush tjetër është nën sanksionet e SHBA për korrupsion?

    Nikolla Shpiriq, nënkryetar i Dhomës së Popullit në Parlamentit e Bosnjë e Hercegovinës, deputet i partisë SNSD-së në krye të së cilës është Dodiku, u përfshi në “listën e zezë” të SHBA-së në shtator të vitit 2018, siç thuhet, për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm.

    Në listën e personave të ndaluar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe bashkëshortja e tij Nada, djali Aleksandar dhe vajza Jovana.

    Dy vjet pasi u fut në listë, më 22 shtator 2020, Shpiriq u emërua për një periudhë katërvjeçare në Komisionin parlamentar për përzgjedhjen dhe mbikëqyrjen e Agjencisë për parandalimin e korrupsionit dhe koordinimin e luftës kundër korrupsionit në Bosnjë e Hercegovinë.

    Amir Zukiq, ish-deputet i shtetit dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), u shtua në këtë listë në vitin 2020, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndë.

    Në “listat e zeza” të SHBA-së gjenden edhe persona të tjerë, të cilët janë sanksionuar për arsye të tjera. Ata akuzohen dhe dënohen për krime lufte, të dyshuar për aktivitete terroriste ose krim të organizuar.

    Sanksionet amerikane nënkuptojnë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe ngrirjen e aseteve dhe financave në territorin e SHBA-së. Qytetarëve amerikanë u ndalohet të marrin pjesë në transaksione me personat që janë në listën e sanksioneve.

    Deri më tani, SHBA-ja ka vendosur sanksione kundër 190 individëve dhe subjekteve (grupe ose organizata) nga Ballkani Perëndimor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!