Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë do të vendosë sot mbi apelin e ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, kundër dënimit të tij për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Mlladiq është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës.
Mladiq u arrestua më 26 maj 2011 në Serbi, pas 16 vjetësh duke i ikur drejtësisë, shkruan Reporteri.net.
Nenad Joviq më 2011 kishte qenë dëshmitari i vetëm i arrestimit të Ratko Mlladiqit.
Ai për mediumin serb “Novosti” në vitin 2011 kishte dëshmuar se si dukeshin minutat e fundit në liri të “kasapit të Bosnjës”.
Përmes dritares së dhomës në të cilën ai kaloi ditët e tij të fundit si i lirë, Mlladiq pa arritjen e policisë me qetësi. Dy pistoleta ndodheshin në tryzë. Të dyja plot.
Atë mëngjes, pak pas orës pesë, një djalë me rroba civile hyri në shtëpinë e kushëririt të tij Branislav Mladic në Lazarevë, me një armë nën këmishën e tij të verës. Ai hapi derën e dhomës ku ishte gjenerali. Paksa i hutuar, ai pyeti: Kush jeni ju?
“Unë jam ai që ju po kërkoni” – u përgjigj Ratko Mlladiq.
Kjo është historia e Nenad Jocovic, 72 vjeçar nga Lazarevo, një dëshmitar okular i arrestimit të ish-komandantit të luftës të Ushtrisë së Republikës Srpska.
Ai nuk e kishte idenë se do të ishte dëshmitari i vetëm për fundin e dramës së “Kasapit të Bosnjës”.
Kur e gjetën atje, para se të futeshin në shtëpi, policia e ftoi të ishte i pranishëm në kërkimin dhe procedurën që pasoi më tutje.
“Ishte ora pesë e gjysmë e mëngjesit kur policia nisi kërkimin.
Mlladiq nuk e fshehu identitetin e tij. Ai tregoi kartën e tij të identitetit në emër të tij, dokument ky që kishte skaduar shumë kohë më parë. Ai ende kishte në portofolin e tij një foto të djalit të tij Darko, gruas së tij Bosiljka dhe vajzës së tij të ndjerë Ana. E shikoi edhe një herë foton para se ta dorëzonte në polici. Përveç kësaj, kishte edhe 1,500 dinarë.
Kërkimi dhe gjithçka që kërkonte procedura zgjati rreth dy orë. Mlladiq e kaloi gjysmën e asaj kohe në oborr, ndërsa njerëzit u mblodhën para shtëpisë”, rrëfen ai.
Ai aty thuhet të ketë folur edhe për Kosovën por nuk specifikon saktësisht se çka ka thënë Kasapi i Bosnjës në lidhje me këtë temë.
Në vitin 2017, Mlladiq u dënua për rolin e tij në mizoritë më të këqija në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Ish-komandanti serb në Bosnje dhe Hercegovinë, ishte autori kryesor i krimeve të luftës së Bosnjës në vitet 1990. Viktima dhe familjarët e tyre e quajnë “Kasapi i Bosnjës”.
Gjykata e gjeti fajtor Mlladiqin për udhëheqjen e një fushate të pamëshirshme të spastrimit etnik që kishte për qëllim vrasjen ose ndjekjen e joserbëve nga territorin boshnjak gjatë luftës 1992-95.
Mladiq, para katër vjetësh, qe dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës. Por, si mbrojtja ashtu edhe prokuroria u ankuan, duke çuar lëndën në shkallën e dytë. /Reporteri.net