Një djalosh 12 vjeç nga Michigan-i i Shteteve të Bashkuara ka pësuar djegie të shkallës së dytë në mjekër, gjoks dhe bark kur shoku i tij e lagu me lëng për fshirjen e llakut të thonjve dhe ia vuri flakën si pjesë e një sfide të njohur në internet.
Tabitha Clearly tha se i biri i saj, Jason, i tregoi asaj për ngjarjen e tmerrshme kur e pa trupin e vet të përfshirë nga flakët. “Dolëm duke vrapuar. E pamë shokun e tij duke e ngarë biçikletën duke na kërkuar që ta dërgojmë në spital”, tha nëna e djalit.
Djali u shtri në spital dhe qëndroi aty katër ditë. “Vetëm dua që të gjithë ta dinë se këto sfida, çfarëdo që shikojnë në internet, nuk janë gjëra që ia vlejnë. Djali im mori djegie të shkallës së dytë dhe ka mundur të jetë më keq”, shtoi ajo.
Shoku i djalit që pësoi djegie pranoi se e kanë provuar këtë sfidë dy herë. “Herën e parë kishte vetëm flakë të vogla, pastaj u përhapën herën e dytë”, tha ai.
Në këto sfida të internetit përfshihet lagia e trupit me lëndë të ndezshme, kryesisht alkool, dhe ndezja e saj në trup për disa sekonda. Alkooli digjet shpejt dhe flakët pastaj shuhen me ujë.
Qendra për Parandalimin e Lëndimeve në Universitetin e Iowa-s thotë se këto sfida janë të rrezikshme dhe se ato kanë filluar të provohen nga fëmijët që nga viti 2010, shkruan “Daily Mail”