Forcat e sigurisë irakiane kanë hapur zjarr ndaj protestuesve në Bagdad, duke lënë të vrarë së paku pesë persona.
Mijëra njerëz po marrin pjesë në protestat më të mëdha antiqeveritare në dekadat e fundit.
Rreth 12 persona raportohet se u plagosën kur policia qëlloi ndaj protestuesve që po mblidheshin pranë selisë së televizionit shtetëror.
Më herët, protestuesit sulmuan konsullatën iraniane në qytetin e shenjtë shiit të Qerbelasë, raporton Reuters.
Më shumë se 250 irakianë janë vrarë që nga fillimi i protestave antiqeveritare në muajin tetor.
Protestuesit thonë se kanë dalur në rrugë edhe për shkak të papunësisë dhe shërbimeve të dobëta dhe korrupsionit.
Irani, i banuar me shumicë shiite, ka ndikim të madh në Irak, që nga rrëzimi i diktatorit Saddam Hussesin, dhe mbështet milici të fuqishme shiite atje.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara akoma i sigurojnë Irakut ndihmë ushtarake, politike dhe financiare, dhe Bagdadi ka provuar të balancojë lidhjet e tij si me Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe me Iranin fqinj.
Kryeministri i Irakut më 3 nëntor u bëri thirrje protestuesve të ndihmojnë në rivendosjen e jetës normale në të gjithë vendin dhe tha se trazirat i kushtojnë ekonomisë “miliarda dollarë”.
Kryeministri, Adil Abdul-Mahdi, tha në një deklaratë se protestat, të cilat “tronditën sistemin politik”, kishin arritur qëllimin e tyre dhe duhet të ndalen.