×
  • Lajme
  • Botë

    Fundoset trageti në Bali, 6 të vdekur dhe dhjetëra njerëz të humbur

    Reporteri
    03 Korrik 2025 | 17:45

    Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget u fundos në ishullin turistik të Balit në Indonezi.

    BBC shkruan se në traget ndodheshin 53 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, kur ai u fundos të mërkurën në orën 23:20 sipas orës lokale, ndërsa po udhëtonte për në Bali nga Banyuwangi në bregdetin lindor të ishullit Java.

    Zyra e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit thotë se nga ngjarja ka 31 të mbijetuar, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.

    Autoritetet po hetojnë shkakun e fundosjes së tragetit, ndërsa kanë bërë me dije se operatori i tragetit kishte raportuar probleme me motorin pak para se të fundosej. Ndërkohë një zyrtar tha se shkaku ishte “moti i keq”, sipas mediave lokale.

    Shumë nga të mbijetuarit janë banorë të qytetit bregdetar të Banyuwangit, ndërsa të tjerë vijnë nga zona më të brendshme të ishullit të Javës, sipas një liste të publikuar nga autoritetet.

    Një prej të mbijetuarve tha se trageti u përmbys shpejt pasi u anua tre herë.

    “Herën e tretë, uji i detit kishte hyrë tashmë në kabinën e pasagjerëve”, tha Imron, një prej të mbijetuarve. Ai notoi nëpër një hapësirë boshe në traget dhe u zhyt në det të hapur, përpara se të gjente një jelek shpëtimi. Më pas u shpëtua nga një peshkatar.

    “Rreth tre minuta pasi anija filloi të lëkundej, ajo u përmbys. Unë ende kisha kohë të hidhesha”, tha Bejo Santoso, një tjetër i mbijetuar, për agjencinë e lajmeve Antara të Indonezisë.

    Itinerari i anijes, që është një nga më të ngarkuarat në Indonezi, përdoret shpesh nga vendasit që udhëtojnë midis ishujve Java dhe Bali.

    Fotografitë e publikuara nga agjencia e lajmeve Antara tregojnë disa ambulanca në gatishmëri dhe banorë që prisnin të merrnin informacione mbi të lënduarit.

    Aksidentet detare janë të shpeshta në Indonezi, pasi zbatimi i rregullave të sigurisë janë një shqetësim i hershëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!