Gjenerali iranian Qasem Soleimani, i cili u vra javën e kaluar në një sulm ajror amerikan, në vitet 1990 kishte luftuar në Bosnjë. Të paktën kështu pretendon gazeta serbe “Novosti” në një shkrim të ditës së sotme, transmeton Reporteri.net.
Aty thuhet se anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Sefik Xhaferoviq, u takua me gjeneralin iranian të vrarë kohët e fundit, Qasem Soleimani gjatë luftës civile në BiH, si shef i Qendrës së Sigurisë në Zenica. Këto informacione gazeta serbe i bazon tek burimet diplomatike në Sarajevë.
Sipas gazetës, Soleimani, udhëheqësi i skuadrës elitare të Gardës Revolucionare të Iranit, Kuds, një nga burrat më të fuqishëm të Lindjes së Mesme, i vrarë së fundmi në një sulm ajror amerikan në Irak gjithashtu mori pjesë personalisht në luftën civile 1993 dhe 1994 në BiH (kur u takua me Xhaferoviqin), dhe qysh në maj të vitit 1992, në të ashtuquajturën Ushtri e Bosnjës, ai kishte njëzet forca speciale të ushtrisë iraniane, të cilët luftonin kundër pozicioneve serbe.
Tutje gazeta shkruan se Garda Revolucionare e Iranit ishte formacioni i parë paramilitar i huaj që arriti BiH në fillim të vitit 1992.
Gazeta shkruan se në bazë të burimeve diplomatike, gjatë luftës, Soleimani erdhi në BiH, ashtu si edhe anëtarët e tjerë të Gardës Kombëtare të Iranit, përmes portit të Ploçës, dhe ishin stacionuar në Kakanj, Visoko, Igman, Travnik, Zenica dhe Fojnica. /Reporteri.net