×
  • Lajme
  • Botë

    Gjermania refuzon dërgimin e armëve në mbështetje të ushtrisë ukrainase

    Reporteri
    02 Qershor 2021 | 20:52

    Ministri i Jashtëm i Gjermanisë ka refuzuar ditën e djeshme planet e BE për dërgimin e armëve në mbështetje të ushtrisë ukrainase e cila ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare, nga frika se mos kemi përsëritje të skenarit të Krimesë në vitin 2014, ku ushtria ruse ndihmoi rebelët në uzurpimin e institucioneve.


    “Jam i bindur se konflikti mund të zgjidhet vetëm me mjete politike dhe kjo gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë. Ky është parimi që drejton angazhimin tonë në rajon. Dërgimi i armëve nuk ndihmon në këtë aspekt”- ka thënë nga Berlini kryediplomati gjerman, Heiko Maas.

    Vendimi vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky në një intervistë për të përditshmen gjermane “Frakfurter Allgemeine Zeitung” ka thënë se administrata e Merkel ka bërë shumë për Ukrainën, por se “shpresohet më shumë prej saj, veçanërisht përsa i përket mbështetjes ushtarake”. Kohët e fundit një linjë bashkëpunimi është ngritur mes Kievit, Berlinit dhe Parisit për të shtuar presionin ndaj Kremlinit që të mos kryejë veprime agresive përkundrejt pjesës lindore të Ukrainës, e cila prej disa vitesh ndodhet në një status autonomie të imponuar nga militantët pro-rusë në Donjesk dhe Luhansk.

    Kundër këtij vendimi ka qenë lideri i Partisë së Gjelbër, Robert Habeck i cili përgjatë një vizite në Ukrainë ka thënë se Berlini duhet të fuqizojë ushtrinë ukrainase. “Mendoj se është e vështirë që t’i mohosh Ukrainës armët që i duhen për t’u vetëmbrojtur”- ka thënë Habeck, i cili ka tërhequr jo pak kritika dhe nga partia e tij që ka rrënjë ideologjike të forta pacifiste.

    Gjermani është hezituese për të rivalizuar ashpër Moskën, për shkak se është e varur nga importet e gazit për ngrohjen përgjatë muajve të dimrit, por edhe për shkak se po negociohet për importimin e miliona vaksinave anti-COVID, “Sputnik V” që kanë për objektiv të mbulojnë mungesën e krijuar nga mos-dorëzimi në kohë i dozave të premtuara nga kompania AstraZeneca.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!