×
  • Lajme
  • Botë

    Gjykata ruse e dënon me tri vjet burgim hulumtuesin francez

    Reporteri
    14 Tetor 2024 | 19:56

    Një gjykatë në Moskë e ka dënuar të hënën hulumtuesin francez, Laurent Vinatier, me tri vjet burg, pasi e shpalli fajtor për akuzën se e ka shkelur ligji për “agjentët e huaj”, tha Komiteti Hetimor i Rusisë.

    Vinatier, 48 vjeç, u arrestua në qershor, nën akuzat për spiunazh dhe për mosregjistrim si agjent i huaj.

    Hetuesit rusë pretenduan se ai e ka pranuar fajësinë për marrjen e paligjshme të informatave rreth ushtrisë ruse. Prokurorët kërkuan tri vjet e tre muaj burg për Vinatier.

    Ekipi i tij mbrojtës kërkoi nga gjykata që ta gjobiste atë, në vend që ta dënonte me burgim, duke e quajtur kërkesën e prokurorit “shumë të ashpër”.

    Vinatier është këshilltar në Qendrën për Dialog Humanitar me bazë në Gjenevë, një organizatë joqeveritare për zgjidhjen e konflikteve, dhe “udhëton rregullisht për punën e tij”, tha punëdhënësi i tij.

    Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Francës kanë prekur pikën më të ulët në histori, për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska që nisi në shkurt 2022./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!