×
  • Lajme
  • Botë

    Guvernatori i Nju Jorkut sfidon Trumpin: Nëse më urdhëron të hap vendin, s’do ta bëj

    Reporteri
    14 Prill 2020 | 21:24

    Guvernatori i Nju Jorkut, Endrju Kuomo deklaroi ditën e sotme se nuk do të respektojë asnjë urdhër që mund t’i japë presidenti i Amerikës Donald Trump, për rihapjen e shtetit të tij në mënyrë të pasigurt përgjatë pandemisë së koronavirusit.


    “Nëse ai më urdhëron mua të rihap vendin, në një mënyrë që mund të rrezikohet shëndeti publik i njerëzve të shtetit tim, unë nuk do ta bëj”- tha Kuomo përgjatë një interviste për CNN. Trump deklaroi të hënën se besonte se kishte “autoritet të plotë” mbi shtetet, përsa i përket qëndrimit mbi situatën e krijuar nga koronavirusi në SHBA, qëndrim ky që nuk mbështetet nga Kushtetuta Amerikane, dhe që u kundërshtua menjëherë nga ekspertët ligjorë dhe disa guvernatorë.

    Kuomo tha se çdo urdhër i tillë, do të krijonte një sfidë kushtetuese midis shteteve dhe qeverisë federale, dhe do të përfundonte në gjykatë. “Kjo është gjëja më e keqe që ai mund të bëjë në këtë moment, pra të reagojë në mënyrë diktatoriale, dhe të reagojë partizançe, duke krijuar përçarje” – tha ai, duke iu referuar synimit më të afërt të presidentit për t`u rizgjedhur në nëntor. “Mbajeni politikën jashtë kësaj çështje” – tha Kuomo, duke shtuar se themeluesit e vendit e kishin zgjidhur me kohë këtë çështje. “Ne e kemi tejkaluar këtë debat, pasi këtë e kanë zgjidhur shumë kohë më parë themeluesit e Kushtetutës, Hemilton, Xheferson, Medison dhe Uashington, kur shkruan një dokument që quhet Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara. Kushtetuta thotë se qeveria federale nuk ka pushtet absolut. Pra, thotë të kundërtën e asaj që tha presidenti, që me këtë sjellje po kërkon që të jetë mbret” – deklaroi Kuomo.

    Kundërpërgjigja e Guvernatorit të Nju Jorkut, Endrju Kuomo, erdhi pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi gjatë një konference për shtyp me gazetarët:“Kur dikush është presidenti i Shteteve të Bashkuara, autoriteti është total. Qeveritarët lokalë e dinë këtë” – tha Trump. Presidenti insitoi më tepër kur tha se “dispozita të shumta” në statutin themeltar të SHBA-së i japin atij një fuqi të tillë, pa specifikuar se cilat nga ato. Por ekspertët ligjorë, thonë se presidenti nuk ka autorizim që të anullojë masat e ndërmarra nga autoritetet e shëndetit publik, në nivel shtetëror apo lokal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!