Irani të premten mban zgjedhjet parlamentare, mirëpo dilema e madhe nuk është se kush do të fitojë, por sa njerëz do të dalin në këto zgjedhje.
Pakënaqësia e madhe shkaku i krizës ekonomike, viteve të protestave masive që lëkundën teokracinë dhe tensionet me Perëndimin për programin bërthamor të Teheranit dhe përkrahjen për Rusinë në luftën kundër Ukrainës, ka nxitur shumë njerëz që në heshtje të tregojnë se nuk do të dalin në votime.
Zyrtarët e shtetit u kanë bërë thirrje njerëzve që të votojnë, por sondazhet e fundit të realizuara nga shtetit, tregojnë se iranianët do të dalin për të votuar. Mirëpo nga 21 iranianët e intervistuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”, vetëm pesë prej tyre kanë thënë se do të votojnë. 13 kanë deklaruar se nuk do të dalin në zgjedhje, ndërkaq tre janë të pavendosur.
“Nëse protestoj ndaj një problemi, shumë policë dhe agjentë të sigurisë do të provojnë të më ndalin”, ka thënë Amin, 21-vjeçar. “Mirëpo nëse vdes nga uria në ndonjë skaj rruge, ata nuk do të reagojnë”, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Më shumë se 15 mijë kandidatë janë në garë për parlamentin prej 290 ulësesh. Mandati është katërvjeçar dhe pesë ulëse janë të rezervuara për minoritetet fetare të Iranit.
Konservatorët kanë kontrolluar parlamentin në dy dekadat e fundit. Thirrjet “Vdekje Amerikës” janë dëgjuar shumë shpesh nga salla e parlamentit.
Së fundmi, parlamenti është përqendruar në çështjet si obligimi për mbajtjen e shamisë për gratë, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në vitin 2022 që nxiti protestat masive në Iran.
Protesta shumë shpejtë u shndërrua në përpjekje për të rrezuar klerikët nga pushteti.
Gjatë këtyre protestave u vranë më shumë se 500 persona, ndërkaq 22 mijë të tjerë po mbahen nëpër burgje.