Iraeli ka kryer një sulm brenda Iranit, tha një zyrtar amerikan për CNN të premten, në një lëvizje që kërcënon të përshkallëzojë më tej konfliktin në Lindjen e Mesme.
Sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit u aktivizuan në disa lokacione pasi u dëgjuan shpërthime pranë aeroportit dhe një baze ushtarake në provincën e Isfahanit, raportoi media shtetërore të premten herët në mëngjes.
Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Çfarë thonë raportet iraniane: Tre shpërthime u dëgjuan pranë një baze ushtarake ku ndodhen avionët luftarakë në veriperëndim të Isfahanit, njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve FARS e Iranit.
Pas sulmit, media iraniane raportoi se të gjitha objektet përreth Isfahanit janë të sigurta, duke përfshirë objektet e rëndësishme bërthamore në zonë. Zëdhënësi i Qendrës Kombëtare të Hapësirës Kibernetike të Iranit, Hossein Dalirian, tha se mbrojtja ajrore rrëzoi tre drone dhe “nuk ka raportime për një sulm raketor tani për tani”.
Televizioni shtetëror iranian tha se pak pas mesnate “tre dronë u vëzhguan në qiell mbi Isfahan. Sistemi i mbrojtjes ajrore u aktivizua dhe i shkatërroi këta dronë në qiell”, sipas raportimeve.
Cili ishte objektivi? Kjo mbetet e paqartë, por zyrtari amerikan i tha CNN se objektivi i sulmit nuk ishte bërthamor. Sipas FARS, një radar ushtarak ishte një objektiv i mundshëm. Ghahjaworstan, ku u dëgjua një shpërthim, ndodhet pranë aeroportit të Isfahani, raportoi FARS.
Tensionet mbeten të larta në të gjithë Lindjen e Mesme ndërsa Izraeli zhvillon luftë në Gaza kundër grupit militant palestinez Hamas, një aleat iranian. Ndërkohë, një konflikt hije prej dekadash midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu hapur në fundjavë kur Irani nisi një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit që Teherani tha se ishte hakmarrje për një sulm ajror të dyshuar vdekjeprurës izraelit në konsullatën e Iranit në Siri. /Reporteri.net/