×
  • Lajme
  • Botë / Njoftimi i Netanyahut

    Izraeli thotë se ka vrarë udhëheqësin e Hamasit

    Reporteri
    28 Maj 2025 | 20:17

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha më 28 maj se ushtria e tij e ka vrarë Mohammed Sinwar, udhëheqësi i supozuar i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë. Ai është vëllai i shefit të vrarë të këtij grupi, Yahya Sinwar.

    “Në 600 ditët e ‘Luftës të Rilindjes’, ne me të vërtetë e kemi ndryshuar fytyrën e Lindjes së Mesme”, tha Netanyahu para Parlamentit.

    “Kemi larguar terroristët nga territori, kemi hyrë me forcë në Rripin e Gazës, kemi eliminuar dhjetëra mijëra terroristë, kemi eliminuar Mohammed Sinwarin”.

    Mediat izraelite kishin raportuar se Sinwar ishte vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite në qytetin jugor të Gazës, Han Junis më 13 maj.

    Atëbotë, ushtria izraelite tha se kishte kryer “një sulm preciz ndaj terroristëve të Hamasit në një qendër të komandës dhe kontrollit që gjendej në një infrastrukturë nëntokësore nën spitalin evropian në Han Junis”.

    Vëllai i madh i Sinwarit, Yahya, është akuzuar nga Izraeli si arkitekti i sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 kundër Izraelit, që nxiti luftën në Gazë. Ai u vra në jug të Gazës në tetor të vitit 2024.

    Ekspertët kanë thënë se me gjasë Mohammed Sinwar mori udhëheqjen e krahut të armatosur të Hamasit, të njohur si Brigada al-Kasam, pasi udhëheqësi i krahut, Mohammed Deif u vra.

    Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 u vranë afër 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe Hamasi mori peng 251 të tjerë. Pjesëtarët e Hamasit janë ende duke i mbajtur dhjetëra pengje, ndërsa shumë të tjerë janë liruar në kuadër të marrëveshjeve për armëpushim dhe të tjera.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë mbi 55.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve në llogaritjet e saj.

    Pas vrasjes të disa udhëheqësve të Hamasit që nga 7 tetori, Mohammed Sinwar konsiderohej se ishte njeriu kryesor që merrte vendime në negociatat indirekte me Izraelin, për çështjen e pengjeve dhe menaxhimin e krahut të armatosur të Hamasit.

    Hamasi ende nuk ka konfirmuar ose mohuar pretendimin e Izraelit për vrasjen e Sinwarit./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!