×
  • Lajme
  • Botë

    Kanadezi godet qëllimisht me veturë familjen myslimane, lë 4 të vdekur

    Reporteri
    08 Qershor 2021 | 8:29

    Një burrë kanadez i moshës 20-vjeçare është ngarkuar me katër akuza për vrasje të shkallës së parë dhe një tentim-vrasje pasi me veturën e tij goditi një familje myslimane. Policia tha se ky ishte sulm i paramenduar.


    Dy gra, njëra 74 e tjetra 44 vjeçe, një burrë 46 vjeç dhe një vajzë 15 vjeçe – gjyshja, prindërit dhe vajza e tyre – mbetën të vdekur të dielën në mbrëmje, kur i dyshuari Nathaniel Veltman goditi me veturë një grup këmbësorësh në Ontario, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

    I mbijetuari i vetëm, një djalë 9 vjeç, ndodhet në spital me lëndime serioze, por raportohet se është jashtë rrezikut për jetë. Familjarët e viktimave kanë kërkuar që emrat të mos publikohen.

    Komandanti i policisë lokale, Steve Williams, tha të hënën se në bazë të hetimeve, autoritetet besojnë se ky ishte akt i qëllimshëm dhe se viktimat e këtij rasti kanë qenë të shënjestruar për shkak të besimit fetar.

    Ndonëse i dyshuari fillimisht iku nga vendi i ngjarjes, policia e arrestoi atë në parkingun e një qendre tregtare. Veltman nuk kishte të kaluar kriminale. Policia ende nuk e di nëse ai është anëtar i ndonjë grupi të urrejtjes dhe oficerët nuk treguan se çfarë dëshmish kanë gjetur për të besuar se sulmi i ishte i planifikuar.

    Kryetari i qytezës ku ndodhi ngjarja, Ed Holder, tha: “Ky ishte një akt i vrasjeve masive që u krye kundër myslimanëve. Po flas në emër të të gjithë banorëve të qytetit, kur po them se zemrat tona janë të thyera. Ne vajtojmë për familjen, tri gjeneratat e së cilës tashmë janë shuar.”

    Kryeministri i Kanadasë, Justun Trudeau, tha përmes rrjeteve sociale se është i tmerruar nga lajmi për sulmin. “Islamofobia nuk ka vend në asnjërën prej komuniteteve tona”, shkroi ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!