Një gjykatë në Serbi dënoi me burgim katër ish-oficerë të inteligjencës për, siç u tha, vrasjen e një gazetari të shquar më 1999, i cili ishte kritik ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Sllavko Quruvija, pronar dhe kryeredaktor i dy gazetave të pavarura në atë kohë, u qëllua jashtë shtëpisë së tij në Beograd, më 11 prill, 1999, pak ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, që ndali luftën e Serbisë në Kosovë.
Gjykata në Beograd dënoi të premten ish-kreun e sigurimit shtetëror, Rade Markoviq, dhe ish-udhëheqësin e inteligjencës në Beograd, Millan Radonjiq, me nga 30 vjet burgim.
Markoviq është duke shërbyer tashmë një dënim prej 40 vjetësh burgim për vrasje të tjera politike.
Gjykata dënoi me nga 20 vjet edhe dy ish-zyrtarë të inteligjencës, Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak. I fundit ndodhet në arrati.
Gjykatësja Snezhana Jovanoviq u citua nga mediat lokale duke thënë se katër burrat u shpallën fajtorë për vrasjen e gazetarit Sllavko Quruvija “me urdhër të një personi të panjohur”.
Familja e Quruvijës e ka akuzuar Millosheviqin për urdhërimin e vrasjes.
Millosheviq është arrestuar në vitin 2001 dhe është dërguar në Tribunalin e Hagës për Krime Lufte, nën akuzat për gjenocid dhe krime të tjera të luftës, të kryera gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në vitet 1990.
Millosheviq ka vdekur në paraburgim të Tribunalit më 2006, përpara se të merrej ndonjë vendim për të.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.