×
  • Lajme
  • Botë

    Kush është Sofia? Lidhja e studentes me gazetarin bjellorus dhe burgosja pa akuzë

    Reporteri
    27 Maj 2021 | 22:41

    Të dielën e kaluar, Sofia Sapega, 23 vjeçe dhe i dashuri i saj, 26 vjeçar gazetari e blogeri Roman Protasevich u arrestuan nga autoritetet bjelloruse, me urdhër të presidentit Alexander Lukashenko.


    Të dy ndodheshin në avionin e Ryanair që po fluturonte nga Athina për në Vilnius të Lituanisë. Por autoritetet bjelloruse detyruan avionin të ulej në Minsk të Bjellorusisë për të arrestuar gazetarin dhe të dashurën e tij.

    Sofia Sapega është me shtetësi ruse. Ajo po mbahet në një qendër paraburgimi në Minsk, ku do qëndrojë për dy muaj si një masë parandaluese. Avokati i saj thotë se ende nuk ka një akuzë ndaj saj. Zyrtarë nga ambasada ruse të cilët e vizituan në qelinë e paraburgimit thonë se është mirë me shëndet, madje vetë ajo nuk ankohet për trajtimin dhe kushtet.

    Para arrestimit ajo po udhëtonte me Protesavich në Athinë, ku e shoqëroi në një forum ekonomik.Çifti janë njohur para 6 muajsh me njëri tjetrin.

    Nëna e saj Anna Dudich tregon:

    “Ajo është shumë e zgjuar, e shkolluar. Vajza ime është një person shumë i mire. Ju garantoj për këtë. Ajo është vajzë me karakter”.

    Sofia Sapega ka lindur në qytetin rus të Vladivostok, por jetoi pothuajse tërë jetën e saj në Bjellorusi.

    Ajo është studente juridiku në Universitetin Evropian të Shkencave në Vilnius dhe pritej të mbronte tezën e masterit menjëherë pas kthimit nga Athina.

    Ministria e jashtme e Rusisë thotë se ajo u akuzua për shkeljen e ligjit Bjellorus në gusht dhe shtator të vitit 2020. Me gjasë u referohen protestave anti-Lukashenkos. Por është e paqartë se cilat janë këto krime.

    Ndërsa e ëma e saj thotë se Sofia nuk ishte e përfshirë në protesta dhe kishte jetuar në Vilnius që nga gushti i vitit të kaluar. Ajo shton se nuk ka gjasa të ketë punuar për udhëheqësen e opozitës Bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya e cila është arratisur në Lituani.

    “Fëmija ime është një studente e zakonshme, një vajzë e zakonshme që u njoh me Roman Protasevich. Jo më shumë’’.

    Që nga arrestimi i çiftit, një video e Sofias është publikuar nga autoritetet Bjelloruse. Në të, ajo thotë se është pjesë e një rrjeti në Telegram i cili ka publikuar informacione personale të zyrtarëve të sigurisë, por dyshohet se ajo është detyruar ta thotë këtë gjë.

    Miqtë dhe të afërm të Sofias thonë se ndalimi i saj ka vetëm një arsye: për të ushtruar presion ndaj të dashurit të saj gazetar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!