×
  • Lajme
  • Botë

    Ky qytet ndihmoi SHBA-në të mbështeste Ukrainën – tani roli po i zbehet shkaku i Trumpit

    Reporteri
    08 Mars 2025 | 8:14

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës për Ukrainën, duke lënë banorët e vendit të shkatërruar nga lufta në pasiguri për të ardhmen e tyre dhe ka tronditur aleatët tradicionalë evropianë.

    Por, ky vendim është ndier edhe më shumë, në Scranton, Pensilvani – qytet rreth 7560 kilometra larg Kievit, i cili ka luajtur një rol të vogël në konflikt.

    Scranton njihet si vendi ku është xhiruar versioni amerikan i serialit televiziv “The Office” dhe si vendlindja e ish-presidentit amerikan, Joe Biden – një nga mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës.

    Por, pas pushtimit rus të Ukrainës, qyteti është bërë i njohur për diçka tjetër mes atyre që ndjekin nga afër luftën: Fabrikën e Artilerisë së Ushtrisë në Scranton, shkruan bbc.

    Në pronësi të qeverisë amerikane dhe të drejtuar nga kontraktori i mbrojtjes “General Dynamics”, kjo fabrikë prodhon predha artilerie 155 mm – një municion kyç që ka ndihmuar ukrainasit të ndalin përparimet ruse. Këto predha përdoren çdo ditë, ndërsa konflikti ka marrë formën e betejave të stilit të Luftës së Parë Botërore, me llogore dhe bombardime artilerie.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vizitoi fabrikën gjatë një udhëtimi në Scranton në shtator të vitit 2024, duke shtrënguar duart me punonjësit dhe duke parë nga afër makineritë e saj.

    Scranton është një nga tre fabrikat në Pensilvani që ka rritur prodhimin e predhave 155mm që nga fillimi i konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.

    Nga viti 2009 deri në 2017, këto fabrika prodhonin së bashku rreth 9000 predha në muaj. Por, deri në kohën e vizitës së Zelenskyt vitin e kaluar, prodhimi ishte rritur në 36 mijë predha mujore, sipas ushtrisë amerikane.

    Gjatë takimit në Zyrën Ovale që çoi në përkeqësimin e marrëdhënieve mes administratës Trump dhe Ukrainës, zëvendëspresidenti JD Vance përmendi këtë vizitë për ta akuzuar Zelenskyn se kishte bërë fushatë “për opozitën” gjatë qëndrimit në SHBA.

    Pavarësisht gjithë dramës politike, kjo komunitet në Pensilvani e sheh ende punën si përfaqësuese të angazhimit amerikan ndaj Ukrainës, tha kryetarja e bashkisë së Scrantonit, Paige Cognetti.

    “Kemi disa kisha ukrainase këtu. Kemi një diasporë të madhe të ukrainase”, tha Cognetti.

    Kisha Katolike Ukrainase e Shën Vladimirit në Scranton ka mbledhur fonde për luftën dhe ka pritur ushtarë ukrainas në aktivitete komunitare.

    “Scranton ka një histori shumë krenare në mbështetjen e Ukrainës dhe këto kanë qenë disa javë shumë të vështira për ne, teksa shohim që kjo mbështetje po zbehet nga administrata amerikane”, tha ajo.

    Cognetti u shqetësua nga debati në Zyrën Ovale midis Trumpit, Zelenskyt dhe nënpresidentit amerikan, JD Vance.

    “Të shohësh politikën amerikane të ndryshojë dhe potencialisht SHBA-në t’i kthejë shpinën Ukrainës është vërtet tronditëse”, tha ajo.

    Fabrika e artilerisë në Scranton “siguron që luftëtarët të kenë municionet kur dhe ku është e nevojshme dhe vazhdon të forcojë rezervat amerikane në mbarë botën”, tha gjeneral-llejtnant, Chris Mohan, komandant i përkohshëm dhe zëvendëskomandant i përgjithshëm, në një deklaratë lidhur me vizitën e Zelenskyt.

    Cognetti tha se fabrika ka shtuar “dhjetëra” vende pune dhe ka rritur kapacitetin e saj gjatë luftës në Ukrainë, duke vlerësuar se rreth 400 persona punonin aty kur e vizitoi Zelensky.

    Por, me administratën Trump që tani po ushtron presion mbi Zelenskyn për t’i dhënë fund luftës, roli i Scrantonit në gjeopolitikë mund të jetë drejt fundit.

    Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz, konfirmoi të mërkurën se Shtëpia e Bardhë ka pezulluar ndarjen e inteligjencës me Kievin, duke u thënë gazetarëve se “ne kemi bërë një hap pas”.

    Administrata Trump po rishikon “të gjitha aspektet e kësaj marrëdhënieje”, shtoi ai.

    Ligjvënësit republikanë kanë mbështetur veprimet e fundit të Trumpit, të cilat i shohin si kyçe për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.

    “Mendoj se presidenti thjesht dëshiron që të gjithë të ulen në tryezën e bisedimeve dhe besoj se po bën përparim”, tha për gazetarët senatori i Dakotës së Jugut, Mike Rounds.

    Ka vlerësime të ndryshme për shumën e ndihmës ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, sipas një analize të BBC Verify.

    Instituti Kiel me bazë në Gjermani e vlerëson totalin në 119.7 miliardë dollarë (110.2 miliardë euro). Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka raportuar një total prej 182.8 miliardë dollarësh (168.5 miliardë euro), duke përfshirë shpenzimet për operacionin Atlantic Resolve – një përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

    Fedir Venislavsky, anëtar i komitetit të mbrojtjes në parlamentin ukrainas, i tha BBC-së se, pa ndihmën ushtarake amerikane, ushtarët në vijën e parë do të mund të rezistonin “ndoshta për gjashtë muaj”.

    Rajoni është shtëpia e disa fabrikave të prodhimit ushtarak, duke përfshirë një objekt të Lockheed Martin dhe Tobyhanna Army Depot, e cila është edhe më e madhe dhe prodhon disa furnizime për Ukrainën.

    Përfaqësuesit e Fabrikës së Municioneve të Ushtrisë në Scranton refuzuan të komentojnë mbi ndikimin e mundshëm që mund të ketë pezullimi i ndihmës në fabrikë dhe vendet e punës. Të martën, veturat hynin në objektin e siguruar si zakonisht dhe parkimi i saj dukej i mbushur plot.

    Zyrtarët lokalë thanë se çdo ndikim në ekonominë e Scrantonit do të ishte i vogël.

    “Kjo fabrikë nuk është punëdhënësi më i madh, larg kësaj”, tha Bob Durkin, presidenti i Dhomës së Tregtisë së Scrantonit, organizatë jopartiake. “Por është një punëdhënës shumë i rëndësishëm. Këto vende pune janë me cilësi të lartë. Janë punë me paga të mira, që mbështesin familjet”, pohoi ai.

    Jashtë portave të fabrikës, opinionet e banorëve të Scrantonit mbi luftën mbeten të ndara. Edhe pse Scranton, në verilindje të Pensilvanisë, ka qenë historikisht një zonë demokrate, republikanët kanë fituar terren politik në rajon.

    Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump fitoi shtetin, por humbi ngushtë në Lackawanna County, ku ndodhet Scrantoni, ndaj atëherë zëvendëspresidentes, Kamala Harris. Megjithatë, në garën për Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Rob Bresnahan mundi kongresistin demokrat, Matt Cartwright me vetëm 6200 vota diferencë.

    Trump bëri fushatë kundër shpenzimeve të SHBA-së për Ukrainën, një premtim që u prit mirë nga baza elektorale.

    Të martën, pak para fjalimit të Trumpit para Kongresit, klientët në Poor Richard’s, një bar lokal, ishin të ndarë për çështjen e Ukrainës – dhe për rolin që duhet të luajë Scrantoni në skenën botërore.

    “Ndihem vërtet i zemëruar për mënyrën se si Trump e trajtoi takimin me Zelenskyn”, tha Brandon Lux, 35 vjeç, i cili punon në kujdesin mendor në Scranton. “Ndërprerja e gjithë financimit qeveritar për Ukrainën tani, mendoj se do të ketë pasoja për atë që ndodh këtu në qytetin tonë”, pohoi ai.

    Por, disa banorë të tjerë mendonin se Trump kishte të drejtë të ushtronte presion mbi Zelenskyn dhe të rishikonte mbështetjen e Bidenit për vendin në luftë.

    “Nuk kemi para për t’u dhënë atyre, duhet të kujdesemi për njerëzit tanë fillimisht”, tha Fran Fitzgerald, e cila e përshkroi veten si një “fanse të madhe” të Trumpit.

    Fitzgerald tha se shpresonte që administrata Trump të drejtonte fondet që po përdoren për Ukrainën drejt projekteve si riparimi i “rrugëve të tmerrshme” dhe gropave në Scranton.

    Mike Pierson, elektricist, votoi për Trump, por nuk është domosdoshmërisht dakord me të gjitha veprimet e tij deri tani. Ai, që e përshkruan veten si i pavarur politikisht, është i shqetësuar se Elon Musk dhe grupi i punës për Efiçencën e Qeverisë mund të rrezikojnë përfitimet nga Sigurimet Shoqërore. Ai shpreson të dalë në pension brenda pesë viteve të ardhshme.

    Por, Pierson përsëriti argumentin e presidentit se SHBA-ja nuk duhet të shpenzojë para për konflikte jashtë vendit, si ai në Ukrainë, por t’i përdorë ato brenda vendit.

    “Ne jemi banka e botës, jemi polica e sigurimit e botës. Duhet të ndalojmë”, tha ai. /Telegrafi/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!