Komisioni Europian ashtu siç ishte paralajmëruar prej disa javësh ka paditur Poloninë dhe Hungarinë në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut për komunitetin LGBT në dy shtetet të cilat drejtohen nga parti ultra-konservatore.
Çështja e ngritur nga Brukseli do të trajtohet nga Gjykata Europiane në Hagë ku do të shqyrtohet nëse nismat ligjore të qeverive në fjalë kanë rënë ndesh me parimet fondamentale të BE-së dhe dinjitetit njerëzor.
Ligji i miratuar së fundmi në Hungari që ndalon shfaqjen e informacioneve për komunitetin LGBT në librat shkollorë dhe në emisionet për audienca nën 18 vjeç ka qenë nxitësi për këtë padi, teksa kryeministri holandez Mark Rutte është shprehur se Budapesti duhet përjashtuar nga Unioni për shkak të implementimit të këtij ligji. Ndërkohë, Polonia akuzohet pasi qeveria e saj nuk ka bërë asgjë për të parandaluar të ashtuquajturat zona “Pa LGBT” që janë krijuar në më shumë se 100 lokalitete në shenjë reagimi ndaj shtimit të prezencës së komunitetit LGBT në jetën publike.
Nga ana e saj Hungaria e ka konsideruar ligjin e implementuar mëse normal dhe në kuadër të së drejtës së saj për të mbrojtur “vlerat tradicionale”, ndërkohë që kryeministri Victor Orban ka bërë thirrje për një “demokraci të Krishterë” në Europë: “BE nuk mund t’i thotë prindërve hungarezë sesi ata do të rritin fëmijët e tyre, në vendin e tyre”- ka thënë Orban.
Në padinë e BE shkruhet se këto ligje do të shtojnë diskriminim ndaj individëve të komunitetit LGBT dhe mund të shtojë incidentet e dhunës që janë një problem në Europën qendrore dhe lindore, ku ka shtete me shoqëri më tradicionale dhe jo-progresive si në perëndim.
Vendimi i drejtësisë europiane do të përdoret si precedent në lidhje me sa juridiksion kanë shtetet e BE për të çështjet sociale dhe humbja e Budapestit dhe Varshavës mund të nxisë sanksione të rrepta si ndalim i financimeve apo në raste ekstreme mosbindjeje edhe përjashtim nga Unioni.