×
  • Lajme
  • Botë

    Lidhjet e familjes së famshme serbe Kariq me Lukashenkon: Morën miliona për projekte që nuk u realizuan kurrë

    Reporteri
    28 Maj 2021 | 12:35

    Afërsia me presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko i ka siguruar familjes së famshme serbe Kariq një pozicion të lakmueshëm në biznes: kompanitë e tyre kanë marrë tokë shtetërore me vlerë rreth 800 milion euro, gëzojnë lehtësira në taksa dhe marrin projekte të mëdha ndërtimore në shtet, edhe pse asnjë nuk ka përfunduar siç është premtuar.


    Një hulumtim i bërë nga disa gazetarë të huaj, ka zbuluar lidhje të reja midis dy familjeve: në një nga kompanitë e tyre, Kariq raportohet se punësoi gruan e djalit të presidentit Bjellorus, transmeton në shqip Gazeta Online “Reporteri.net”.

    “Far Minsk”, një projekt që fitoi konkursin arkitektonik të qytetit në vitin 2008, supozohej t’i jepte kryeqytetit Bjellorusi një pamje futuristike: projekti parashihte ndërtimin e kullave nga qelqi që mbështilleshin në një rrokaqiell të lartë 300 metra, të ngjashme si ato në Venecia.

    Projekti u propozua nga kompania “Zomeks Investment”, në pronësi të familjes së famshme Serbe Kariq, e cila ka lidhje të ngushta me Presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko.

    Kjo familje dhe anëtarët e saj më të njohur, vëllezërit Bogolub dhe Sreten, zhvilluan biznese në Bjellorusi pasi u arratisën nga Serbia me akuzën për pasurim të jashtëligjshëm duke nxjerrë në mënyrë të paligjshme para nga ndërmarrjet në të cilat kishin partner shtetin.

    Vëllezërit kanë qenë në arrati për vite me radhë dhe u kthyen në Serbi në fund të  vitit 2016, menjëherë pasi të gjitha hetimet kundër tyre u pezulluan.

    Kompania “Zomex” përfitoi lehtësime të mëdha tatimore dhe burime shtetërore për të mbështetur ndërtimin, dhe me dekretin e Presidentit Lukashenko edhe tokë falas në qendër të qytetit. Sidoqoftë, projekti nuk u realizua kurrë.

    Tri vjet më vonë, në vend të kullave të premtuara, rrokaqiejt dhe një prej parqeve më të mëdhenj të ujit në Evropë, ndërtesat e banimit me tulla shumëkatëshe “mbinë” në zonën e “Farit të Minskut”, siç ka në të gjithë kryeqytetin e Bjellorusisë.

    Ky nuk bën përjashtim kur bëhet fjalë për projekte të kompanisë së vëllezërve Kariq në Minsk. Edhe të tjerët kishin të njëjtin model: premtime të mëdha dhe mbështetje bujare nga qeveria për projekte ambicioze që nuk u materializuan kurrë.

    Pavarësisht kësaj, kompanitë vazhdojnë të fitojnë kontrata qeveritare.

    “Zomex”, që ndryshoi emrin në “Emirates Blue Sky” në vitin 2020 dhe dy kompanitë simotra  aktualisht kanë të paktën 11 projekte ndërtimore në afërsi të Minskut, sipas hulumtimit të bërë nga OCCRP, Belsat dhe KRIK. Këto ndërmarrje janë investitorët më të mëdhenj ndërtimorë në qytet që raportohet se morën 400 hektarë tokë me vlerë rreth 800 milionë euro, transmeton Reporteri.net.

    Gazetarët zbuluan gjithashtu se familja Kariq bëri një manovër që u mundësoi atyre të shmangnin sanksionet e vendosura ndaj tyre nga Bashkimi Evropian në fund të vitit të kaluar dhe të vazhdonin të përfitonin nga bashkëpunimi me administratën e Lukashenkos.

    Gjegjësisht, deri në fund të vitit të kaluar, të tri kompanitë që merreshin me projekte ndërtimi ishin në pronësi të “Dana Holdings”, një kompani qipriote në pronësi të Nebojsha Kariq, birit të Bogoljub Kariq. Në dhjetor të vitit2020, Bashkimi Evropian e vendosi këtë kompani në “listë të zezë” për mbështetjen e regjimit jodemokratik të Lukashenkos, i cili ndërhyri brutalisht në demonstratat paqësore të organizuara për shkak të zgjedhjeve të manipuluara.

    Kariq mund të ketë parashikuar një lëvizje nga Bashkimi Evropian. Vetëm disa ditë para se të publikohej “lista e zezë”, “Dana Holdings” la pronësinë e kompanive në Bjellorusi dhe u zëvendësua nga kompania “Enterprise Developments Holding Limited” e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Sipas dokumentacionit të biznesit, drejtori dhe pronari i kompanisë nga Emiratet e Bashkuara Arabe është Mustafa el-Tobgi. Në njeri me të njëjtin emër në vitin 2013 u paraqit si drejtori i “Dana Holdings” në një reklamë që kjo kompani kishte në faqen e famshme Bjelloruse TUT.by.

    Meqenëse ato nuk janë më në pronësi zyrtare të Dana Holdings, kompanitë Bjelloruse të familjes Kariq mund të shmangin sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të vazhdojnë të përfitojnë financiarisht nga lidhjet e tyre me Lukashenkon.

    Vibor Muliq, kryetar i bordit të drejtorëve të kompanisë “Dana Holdings”, deklaroi në një përgjigje me shkrim për gazetarët se ekipi ligjor i kompanisë apeloi vendimin për sanksionet.

    “Të gjitha vendimet përpara sanksioneve, të tilla si ndryshimet në pronësi, ishin ekskluzivisht për arsye biznesi”, ka thënë Muliq.

    Ai mohoi që familja Kariq të ketë një marrëdhënie të privilegjuar me Lukashenkon, duke deklaruar se ata marrin punë përmes tenderëve dhe lehtësimeve tatimore në përputhje me ligjet.

    “Ekziston vetëm një lidhje midis ‘Astra Day’ dhe Komitetit Olimpik Kombëtar,” tha Muliq, duke iu referuar sponsorizimit të kompanisë nga Komiteti Olimpik Bjellorus, nënkryetar i të cilit është djali i Lukashenkos.

    Hetimi, arratisja dhe kthimi i Karic në Serbi

    Suksesi që anëtarët e familjes Kariq gëzuan në Bjellorusi duket se është ndërtuar në modelin e asaj nga Serbia, ku ata dikur kishin lidhje të ngushta me regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

    Pas ndryshimeve demokratike në 2000, anëtarët e qeverisë së Millosheviqit dhe bashkëpunëtorët e tij u goditën nga sanksionet duke përfshirë këtu edhe Kariqin: pesë anëtarë të familjes u futën në listën e zezë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dhe iu ndalua hyrja në këto vende.

    Qeveria e atëhershëme shpejt vendosi një taksë të re “për fitimet ekstra”  dhe caktoi taksat për kompanitë dhe individët që gëzonin përfitime të veçanta gjatë regjimit të Millosheviqit. Në krye të listës ishte familja Kariq, e cila pagoi 35 milionë euro taksa në vitin 2004.

    Në të njëjtin vit, Bogoljub Kariq kandidoi pa sukses për president dhe themeloi partinë Lëvizjen e Fuqisë Serbe (PSS).

    Shpejt u shfaqën probleme serioze për të. Gjatë vitit 2006, një hetim nisi për operacionet e ndërmarrjeve të tyre dhe prokurorët dyshuan se ata po nxirrnin para në mënyrë të paligjshme nga kompania. Sreten dhe Bogoljub Kariq u larguan nga vendi.

    Tri hetime kanë filluar kundër tyre, sipas dokumenteve nga prokuroria që i ka siguruar KRIK.

    Vëllezërit Bogoljub, Sreten, Dragomir dhe Zoran Kariq, si dhe motra e tyre Olivera Nedeljkoviq, dyshoheshin për transferimin e paligjshëm të parave nga “Mobtel”, një kompani telekomunikacioni që ata zotëronin në pronësi me shtetin, duke i transferuar paratë ilegalisht në kompanitë e tyre private. Prokurorët pretenduan se ata arritën të nxirrnin më shumë se 60 milionë euro nga “Mobtel” në mënyra të ndryshme, ndër të tjera përmes kontratave fiktive dhe llogarive duke shpenzuar disa miliona për nevoja personale.

    Erërat politike u kthyen në favor të tyre pasi Partia Përparimtare Serbe (SNS) erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2012. Lëvizja për Fuqinë Serbe ishte tani pjesë e koalicionit të ri qeverisës. Ndërsa Bogoljub vazhdoi të largohej nga autoritetet serbe, gruaja e tij Milanka dhe vëllai Dragomir u bënë deputetë.

    Procedimet kundër Bogoljub dhe Sreten Kariq mbetën të hapura për një kohë, pavarësisht nga aleatët e tyre të rinj të fuqishëm politikisht. Presidenti i atëhershëm i shtetit, Tomislav Nikoliq, madje u takua me të arratisurin Bogoljub disa herë dhe vizitoi projektet e familjes Kariq në Bjellorusi.

    Gjatë vizitës së tij shtetërore në Bjellorusi në vitin 2013, Nikoliq vuri gurthemelin  për projektin “Far Minsk”. Dy vjet më vonë, siç raportohet nga mediat bjelloruse, ai u takua me Bogoljub Kariqin në Minsk dhe me presidentin Lukashenko.

    Nikoliq tha se ata gjithashtu u takuan në Rusi në  vitin 2016, por pretendoi se ai nuk i premtoi asgjë biznesmenit të arratisur, ai tha se Kariq ishte “i përndjekur politik.

    Më vonë atë vit, megjithatë, të tre procedurat kundër vëllezërve Kariq u pezulluan. Njëra u pezullua nga gjykata, duke përmendur parashkrimin, derisa prokuroria pretendoi se provat ishin humbur në një hetim, dhe se mbrojtja paraqiti prova shfajësuese në tjetrën.

    Në dhjetor 2016, një dekadë pasi u larguan nga vendi, Sreten dhe Bogoljub u kthyen triumfalisht në Beograd nga Minsku me aeroplan privat. Gjatë mërgimit të vetë-imponuar, ata krijuan një marrëdhënie fitimprurëse me presidentin Bjellorus.

    Kur Aleksandër Lukashenko bëri një vizitë zyrtare në Serbi në vitin 2019, ai u shoqërua nga Dragomir Kariq, i cili atëherë ishte anëtar i parlamentit, si dhe konsulli i nderit i Bjellorusisë në Beograd.

    Në një konferencë shtypi pas një takimi me Presidentin Serb Aleksandar Vuçiq, Lukashenko kujtoi se vëllezërit Kariq ishin të mirëpritur në Bjellorusi pasi ishin liruar nga akuzat në vendin e tyre. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!