Kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjatë vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Berlin të mërkurën, tha se shteti i tij do të ndihmojë Kievin që të prodhojë armë me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin caqe në territorin rus.
Ai tha se ministrat e Mbrojtjes të të dyja shteteve do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për prodhimin e sistemeve të armëve me rreze të gjatë veprimi, por nuk tregoi detaje teknike apo cilët prodhues do të përfshihen.
“Nuk do të ketë kufizime sa i përket rrezes [së veprimit], duke i lejuar Ukrainës që plotësisht të mbrojë veten, edhe ndaj caqeve ushtarake jashtë territorit të saj”, tha ai gjatë një konference të përbashkët për media me Zelenskyn.
Vizita e Zelenskyt në Berlin vjen disa ditë pasi Rusia kreu disa nga sulmet më të ashpra me raketa dhe dronë që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës. Presidenti amerikan, Donald Trump, shprehu zemërim me presidentin rus, Vladimir Putin, pas këtyre sulmeve.
Presidenti ukrainas akuzoi Rusinë për zvarritje të bisedimeve të paqes dhe tha se Moska nuk dëshiron të ndalë pushtimin që nisi tre vjet më parë, duke shtuar se “ata vazhdimisht kërkojnë arsye që të mos e ndalin luftën”.
Merz tha se “sulmet masive ajrore, veçmas në Kiev gjatë fundjavës, nuk janë gjuhë e paqes, por gjuhë e luftës së agresionit”.
Ai paralajmëroi se “refuzimi i palës ruse për të mbajtur bisedime, refuzimi për armëpushim, tani vërtetë ka pasoja dhe pasojat po shfaqen çdo ditë”.
Merz, që mori postin e kancelarit muajin e kaluar, u zotua se do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për Ukrainën, por nuk dha detaje se çfarë armësh Gjermania po dërgon atje.
Sa i përket prodhimit të përbashkët të armëve me rreze të gjatë veprimi “mund të bëhet në Ukrainë dhe Gjermani”.
“Ne nuk do të japim detaje të tjera për këtë temë deri në një njoftim të dytë”, tha ai.
Ai tha se bashkëpunimi në industrinë ushtarake mes dy shteteve “ka një potencial të madh”.
Sipas tij, prodhimi i këtyre armëve nënkupton që Ukraina mund të mbrojë veten, “për shembull, duke sulmuar pozicionet ushtarake në Rusi… Me pak përjashtime, nuk ka mundur ta bëjë këtë deri tani. Por, tani mund ta bëjë”./REL