Ish-kryetari i New York dhe miliarderi, Michael Bloomberg, i ka dhënë fund garës për president të Shteteve të Bashkuara, pas rezultateve të dobëta që mori në të ashtuquajturën Super e Martë.
“Tre muaj më parë, unë i jam bashkuar garës për president për të mposhtur Donald Trumpin. Sot po e lë këtë garë pikërisht për të njëjtën arsye”, ka thënë Bloomberg, transmeton Reporteri.net.
Ai ka shpenzuar më shumë se gjysmë miliard dollarë në garën për t’u bërë kandidat i Partisë Demokratike.
Bloomberg ka bërë të ditur se tani do ta mbështesë Joe Biden në këtë garë.
“Unë gjithmonë kam besuar se mposhtja e Donald Trumpit nis me bashkimin pas kandidatit që i ka shanset më të mira. Pas votimeve të djeshme, është e qartë se ai kandidat është miku im dhe një amerikan i madh, Joe Biden”, ka thënë Bloomberg.
Të martën, në 14 shtete të SHBA-së, janë mbajtur zgjedhjet paraprake për kandidatin e Partisë Demokratike.
Bloomberg ka arritur të fitojë vetëm në Samoan amerikane, ndërsa Joe Biden ka fituar në nëntë shtete.
Partia Demokratike do ta zjgedhë në verë kandidatin e saj që do të sfidojë presidentin aktual, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit.
Aktualisht Joe Biden dhe Bernie Sanders, kanë fituar mbështetjen më të madhe.