×
  • Lajme
  • Botë

    Ndahet Çmimi Nobel në Ekonomi, këta janë tre fituesit

    Reporteri
    14 Tetor 2024 | 17:27

    Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James A. Robinson kanë fituar Çmimin Nobel në Ekonomi “për studimet se si janë formuar institucionet dhe ndikimin e tyre në prosperitet”.

    Treshes fituese i është ndarë Çmimi Sveriges Riksbank në Shkencat Ekonomike.

    “Tre ekonomistët kanë demonstruar rëndësinë e institucioneve shoqërore për prosperitetin e një vendi”, tha komiteti Nobel i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.

    “Shoqëritë me një sundim të dobët të ligjit dhe institucionet që shfrytëzojnë popullsinë nuk gjenerojnë rritje apo ndryshim për mirë. Hulumtimi i laureatëve na ndihmon të kuptojmë pse”, shtoi ai.

    Ekonomistët shikojnë veçanërisht institucionet e krijuara nga fuqitë koloniale evropiane.

    Në zonat ku sistemet ishin përfshirëse, ata argumentojnë se kjo solli prosperitet.

    Nga ana tjetër, ata sugjerojnë se institucionet që nxjerrin burime për përfitimin e kolonizatorëve kanë rezultuar në rritje të ulët ekonomike.

    Siç raportohet, Acemoglu dhe Johnson punojnë në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts dhe Robinson kryen kërkimet e tij në Universitetin e Chicagos.

    Njoftimi u bë në Stokholm dhe mbyll sezonin e çmimeve të këtij viti.

    Ndryshe, javën e kaluar, Çmimet Nobel u ofruan për mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe paqe.

    Fituesit e mëparshëm të Çmimit Nobel në Ekonomi përfshijnë Claudia Goldin, Ben Bernanke, Douglas Diamond dhe Philip Dybvig.

    Ekonomistit amerikan Milton Friedman iu dha çmimi në vitin 1976 për punën e tij mbi monetarizmin.

    Kjo teori supozon se kontrolli i ofertës totale të parasë në një ekonomi është mënyra kryesore për të siguruar rritje të qëndrueshme.

    Ndryshe nga pesë çmimet e tjera, çmimi për ekonomi nuk u përshkrua nga Alfred Nobel në testamentin e tij të vitit 1895.

    Në vend të kësaj, çmimi u vendos në vitin 1969 nga banka qendrore e Suedisë, në kujtim të shpikësit suedez.

    Fituesit e parë ishin Ragnar Frisch dhe Jan Tinbergen në vitin 1969.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!