Duke dëshmuar vetëm pak metra larg ish-shefit të tij, Michael Cohen qëndroi në sallën e gjykatës në Manhattan dhe shtjelloi të mirat dhe të këqijat e punës prapa skenave për Donald Trumpin, person për të cilin dikur ishte shprehur i gatshëm “të hante edhe plumbin”.
“Gjëja e vetme që e kisha në mendje ishte për të kryer detyrën, ta bëjë atë (Trumpin) të lumtur”, ka dëshmuar Cohen në gjykatë.
Trumpi është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për falsifikim të të dhënave të biznesit, në lidhje me pagesat që Cohen pohon se i kishte bërë për aktoren e filmave për të rritur, në emër të ish-presidentit, raporton BBC.
Para dëshmisë së Cohenit, Trumpi dhe ish-avokati shkëmbyen fyerje ndaj njëri-tjetrit nëpër rrjetet sociale. Mirëpo për orë të tëra të hënën, ish-miqtë as nuk e shikuan njëri-tjetrin. Coheni dukej i qetë. Dëshmoi në gjykatë për të kaluarën e turbullt. E hëna ishte një prej të paktave hera kur dyshja ndodhej në të njëjtën dhomë qëkur Cohen u punësua për Trumpin para dhjetë vjetësh.
I biri i të mbijetuarit të Holokaustit, Cohen kurrë nuk donte të bëhej avokat, dëshmoi ai, duke thënë se gjyshja i bënte presion që t’ia mësynte këtij profesioni.
Mirëpo pasi nisi juridikun, e gjeti veten duke punuar për një firmë të lëndimeve personale, në të cilën ai bëri punë “ligjore” dhe “joligjore” për Trumpin.
Në vitin 2007, Cohen ka thënë se pranoi punën si këshilltar i veçantë i Trumpit. Puna e tij paguhej 375 mijë dollarë. Cohen do të vazhdonte këtë post për 10 vjet.
Trumpi dërgoi stafin që zyrën e tij të vjetër t’i bënin gati Cohenit. Zyra ishte në katin e 26 të Trump Tower, jo fort larg nga shefi i tij, ka dëshmuar Cohen.
Ai më vonë doli në një zyrë edhe më afër Trumpit, të cilin e quajti “shefi”, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Ishte përvojë e mrekullueshme në shumë, shumë mënyra”, ka thënë Cohen teksa Organizatën Trump e ka quajtur “familje të madhe”.
Ai i raportonte direkt Trumpit për “çfarëdo shqetësimi, për çfarëdo që dëshironte”. Cohen ish-shefin e ka quajtur mikromenaxher.
“Për çdo gjë duhej pyetur Trumpi”, ka dëshmuar ai.
Në të njëjtën kohë, Trumpi ishte i kujdesshëm për gjurmët në letra. Trumpi nuk kishte email adress, duke i thënë se “emailat janë sikur letra të shkruara”.
“Ka shumë njerëz që janë rrëzuar si rezultat direkt i emailave që prokurorët i kanë përdorur në raste”, Cohen ka thënë se i kishte treguar Trumpi dikur.
Fillimisht, puna e Cohenit ishte në negocimet për fatura të cilat Trumpi mendonte se ishin të paarsyeshme.
Kur ai kishte sukses, Trumpi e bëri Cohenin që të ndihej “si në majë të botës”, ka dëshmuar në gjykatë të hënën.
Mirëpo puna për Trumpin shpeshherë kërkonte praktika joetike, ka pretenduar Cohen. I pyetur nga prokurorët nëse ai do të gënjente në emër të Trumpit, Cohen ka thënë “po”.
Kjo shpeshherë kërkohej “për të kryer detyrën”, ka thënë Cohen.
Pasi Trumpi njoftoi se do t’ia mësynte garës për president në vitin 2015, roli i Cohenit u zgjerua. Kjo do të thotë edhe përfshirjen në praktika skandaloze: “ndërmjetësimin në skema ‘kap dhe vrit’”, që do të thotë blerja e rrëfimeve të grave që dyshoheshin se mund të ngritnin raste për afera seksuale me Trumpin, me qëllim që ato kurrë të mos publikoheshin.
Ishte marrëveshje e dizajnuar që t’ia forconte Trumpit mundësinë për fitore në zgjedhje, ka dëshmuar Cohen.
Kjo ishte pika kur “do të bënim gjithçka brenda fuqive tona për ta mbrojtur Trumpin”, ka thënë Cohen. Mirëpo kjo skemë – dhe gënjeshtrat e tij për Trumpin – do ta çonin Cohenin në burg.
Në vitin 2018 ish-ndihmësi i Trumpit do të shpallej fajtor për akuzat se ka gënjyer kongresin në lidhje me përfshirjen e tij në interesat e huaja të patundshmërisë së Trumpit dhe fushatës financiare që kishte lidhje me pagesat për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels.
Ka vuajtur tre vjet burgim dhe arrest shtëpiak. Qëkur u lirua është shndërruar në kritikun më të rryer të ish-presidentit.