Partia e qendrës së djathtë, të ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi është tronditur nga largimi i plot 12 deputetëve që kanë braktisur rradhët e “Forza Italia” për t’iu bashkuar një formacioni të ri parlamentar që është krijuar së fundmi.
Grupi i quajtur “Corragio Italia”, që është themeluar nga kryetari i bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro dhe guvernatori i Liguria-s, Giovanni Toti, ka që në ditën e parë të shpalljes plot 24 deputetë, 12 prej të cilëve vijnë nga partia Berlusconi, 4 nga “Lëvizja 5 yjet” dhe 1 nga LEGA e Salvinit. Grupimi i ri shprehet se është krijuar “për të përfaqësuar vlerat liberale dhe të moderuar të qendrës së djathtë, që nuk kanë pasur zërin e duhur.”
Brugnaro është shumë i ngjashëm me Berlusconi-n, teksa dhe ai vetë është sipërmarrës dhe pronar i një klubi sportiv (të basketbollit) dhe raportohet se ka të ardhura me miliona euro në vit. Goditja në partinë e Berlusconi-t vjen në një moment të keq për të, teksa përgjatë javëve të fundit është shtruar disa herë në spital, duke ngritur dyshime në lidhje me aftësinë e tij për të drejtuar partinë e dytë më të madhe të së djathtës italiane.
Sipas sondazheve, mbështetja për “Forza Italia” ka rënë nga 14% që ishte në zgjedhjet e vitit 2018, tek 7%.
Në fjalën hapëse të themelimit të partisë së tij, Brugnaro është treguar miqësor me Berlusconi-n dhe duket se po kërkon të marrë votues dhe besnikë të tij: “E falenderoj Berlusconi-n, ai ka qenë kurajoz, por ne na duhet të shikojmë përpara dhe të krijojmë një epokë të re. Ne nuk jemi kundër askujt, por ne duhet të shikojmë nga e ardhmja dhe na duhen njerëz të rinj.”
Grupi do të vazhdojë të marrë pjesë në qeverinë me bazë të gjerë të Mario Draghi-t.
Komentatorët e shikojnë këtë lëvizje si zgjidhjen e vetme që e djathta e moderuar ka për të krijuar një imazh të ri përpara zgjedhjeve të vitit 2022 dhe për të rifituar një pjesë të votave që janë larguar për partitë më radikale si LEGA dhe “Fratelli d’Italia”.