×
  • Lajme
  • Botë

    Pas shërbimeve amerikane dhe Inteligjenca Britanike po heton origjinën laboratorike të COVID

    Reporteri
    31 Maj 2021 | 7:28

    Agjencitë e Inteligjencës të Mbretërisë së Bashkuar, kanë filluar investigimet e tyre në lidhje me dyshimet se pandemia e koronavirusit, e cila paralizoi globin vitin e kaluar ka prejardhje nga labotorët e virologjisë në Kinë, të cilat financohen më së shumti nga shtetet perëndimore.


    Lajmin e ka raportuar për mediat ish-kreu i inteligjencës britanike MI6, Sir Richard Dearlove që ka thënë se një nga metodat që do të përdoret për marrjen e informacioneve sekrete do të jetë edhe incentivimi i spiunëve duke iu premtuar strehim dhe anonimitet në perëndim për t’u mbrojtur nga shteti kinez.

    Një tjetër burim për gazetën britanike “The Daily Telegraph”, e cila ka lidhje të afërta me konservatorët në pushtet, ka bërë me dije se Britania po bashkon informacionet dhe resurset njerëzore me SHBA-të për të investiguar origjinën e koronavirusit: “Po bashkëpunojmë në lidhje me informacionet që kemi për Wuhan dhe po përpiqemi të bashkojmë inteligjencën tonë me amerikanë që të rrisim efektivitetin e qëllimit tonë të përbashkët. Për të arritur tek e vërteta e shkakut që solli shpërthimin e pandemisë, duhet analizë e specializuar, diçka që nuk mund të gjendet shumë lehtë”- ka thënë burimi për të përditshmen britanike.

    Në edicionin e së dielës së kaluar një reportazh i publikuar në “Wall Street Journal” shkruante se përpara shpërthimit të pandemisë, tre kërkues në Institutin e Virologjisë të Wuhan-it ishin shtruar në spital me simptoma të ngjashme me ato që shkakton, virusi që më pas u njoh me emrin COVID-19. Pas këtij raporti edhe doktor Fauci, eksperti epidemiolog i Shtëpisë së Bardhë që e kishte klasifikuar pretendimin se virusi ka origjinë laboratorik “teori konspiracioni”, ka pranuar se ky skenar mund të jetë i vërtetë në depozitën që ka dhënë në Senatin amerikan, një dëgjesë që u konkludua me votën e kongresmenëve në Washington për të ndalur financimin e studimeve virologjike në Kinë.

    Në përgjigje të raportimeve se edhe Britania po heton origjinën e virusit ka reaguar Ambasada e Kinës në Londër, që mohon teorinë e origjinës së virusit në Wuhan dhe ngre pretendimin se virusi mund të ketë lindur në një laborator amerikan: “Gjurmimi i origjinës është një çështje shkencore serioze. SHBA-të kanë për qëllim që të lejojnë shërbimet e inteligjencës të kenë një rol primar, çka tregon se gjetja e së vërtetës është gjëja e fundit që ata duan. SHBA-të kërkojnë të krijojnë manipulim politik dhe të gjejnë dikë të fajësojnë. Është Amerika ajo që ka laboratorët më të mëdhenj të biologjikë në botë dhe disa media kanë aluduar se virusi mund të ketë dalë nga laboratori bio-kimik i Fort Detrick. A do të ftojë Amerika OBSH-në që të dërgojë ekspertët e saj për të bërë hetim në territorin amerikan?”

    Nisja e investigimit ndodh pak ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden, i nxitur nga presioni i Kongresit i ka bërë thirrje shërbimeve të inteligjencës që të hetojnë të dhënat për origjinën e koronavirusit të cilat nuk arritën të zbuloheshin nga OBSH-ja për shkak se Kina nuk i dha informacione sensitive dhe kritike për të arritur tek e vërteta.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!