×
  • Lajme
  • Botë

    Peker publikon videon e nëntë: Erdogan investon në Serbi, harroi krimet e serbëve ndaj myslimanëve në Ballkan

    Reporteri
    07 Qershor 2021 | 23:53

    Sedat Peker, njeriu kryesor i mafisë turke, po vazhdon të publikojë video teksa flet për përfshirjen e njerëzve të pushtetit në krime të ndryshme.


    Njeriu i momentit që po trondit Turqinë, Peker ka publikuar edhe videon e nëntë, e cila brenda 24 orëve është shikuar rreth dhjetë milionë herë në YouTube.

    Në videon e re, 49-vjeçari ka pohuar se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, fenë po e shfrytëzon për popullizëm duke dhënë disa shembuj me Palestinën dhe shtetet e Ballkanit.

    Peker tregon sesi investimet kryesore të shtetit turk janë në vendet që kanë kryer krime kundër myslimanëve, si në rastin e Serbisë gjersa fjalimet e tij publike janë sikur të ishte lider i botës islame.

    “Vendet e Ballkanit i kam vizituar fshat më fshat. Njerëzit e shteteve myslimane po më thonë, ‘Si është e mundur që të gjitha ndihmat dhe investimet i keni ndaluar për ne ndërsa ato i keni dërguar tek shteti që na ka përdhunuar dhe masakruar, Serbia. Shtetet ballkanike më nuk po e konsiderojnë më lider të ummetit (myslimanëve). Gjithashtu edhe tek arabët e ka humbur besimin”, tha ai.

    Theksojmë se akuzat që Peker ka ngritur ndaj aleatëve të Erdoganit, duke përfshirë një ish-kryeministër, Binal Yildirim, zyrtarë të lartë dhe të afërmit e tyre, ndryshojnë nga korrupsioni dhe trafiku i drogës te përdhunimet dhe atentatet, transmeton Telegrafi.

    Ndryshe, mafiozi turk që aktualisht është në Dubai ka folur edhe për kohën që ka qëndruar në Kosovë dhe deportimin e tij për në Shqipëri nga ku ka shkuar në Maroku.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!