×
  • Lajme
  • Botë

    Përhapja e koronavirusit mund të shkaktojë recesion në ekonominë globale

    Reporteri
    28 Shkurt 2020 | 9:50

    Në shumë vende të botës, vazhdojnë raportimet për raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ti, ndërsa bota po përgatitet për një pandemi të sëmundjes.


    Ndikimet e koronavirusit në ekonomi po rriten, pasi investitorët thanë se janë në pritje të një recesioni global, shkruan Reuters – transmeton Reporteri.net.

    Çmimet e aksioneve, shënuan javën më të keqe që nga kriza globale financiare në vitin 2008, pasi ndërprerjet në zinxhirët e udhëtimit dhe furnizimit ndërkombëtar, nxitën frikën e recesionit në Shtetet e Bashkuara dhe në zonën e euros.

    Nga koronavirusi i ri, që u paraqit për herë të parë në Kinë, janë infektuar më shumë se 83 mijë njerëz në mbarë botën.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e ka emëruar sëmundjen COVID-19.

    Kina raportoi 327 raste të reja duke e ngritur kështu numrin e të infektuarve në 78.800 raste me gati 2.800 vdekje.

    Autoritetet italiane njoftuan të enjten se ka arritur në 650 numri i personave të prekur nga koronavirusi.

    Japonia do të kërkojë mbylljen e të gjitha shkollave nga dita e hënë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, ka thënë kryeministri japonez, Shinzo Abe.

    Ministria e Shëndetësisë në Iran, u ka kërkuar autoriteteve që të anulojnë lutjet e së premtes në qytetet e mëdha.

    Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se të gjitha kombet duhet të përgatiten.

    “Ky virus ka potencial pandemik”, ka thënë ai.

    Tutje ai shtoi se kjo nuk është një kohë për frike por një kohë për të ndërmarrë veprime për të parandaluar infeksionin dhe për të shpëtuar jetë.

    Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!