×
  • Lajme
  • Botë

    Policia e Kroacisë akuzohet se po vizaton kryqin në kokat e refugjatëve, kryesisht myslimanë

    Reporteri
    12 Maj 2020 | 21:12

    Policia kroate dyshohet se po ngjyros kokat e azilkërkuesve me kryqe, kur përpiqen të kalojnë kufirin nga Bosnja.


    The Guardian raporton se ka marrë një numër fotografish të asaj që është përshkruar nga shoqata të ndryshme si “poshtërimi” i fundit i kryer nga autoritetet kroate kundër migrantëve që udhëtonin përgjatë rrugëve ballkanike.

    Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar qeverisë kroate të hetojë të gjitha pretendimet e abuzimit.

    “Ishte e qartë se një nga efektet e synuara të kësaj sjelljeje është të poshtërojë refugjatët dhe migrantët që përpiqen të kalojnë kufirin,” tha Jack Sapoch nga No Name Kitchen (NNK), një OJQ që operon në Velika Kladushë, 2 km larg kufirit, dhe është anëtar i organizatës mbikëqyrëse “Rrjeti i Monitorimit të Dhunës Kufitare”.

    “Me sa shoh, kjo është rezultat i njërës prej dy motivimeve. Ose autoritetet kroate që i kryejnë këto akte janë duke përdorur ngjyrë për të identifikuar dhe poshtëruar ata që kalojnë kufirin disa herë, ose, më shqetësuese, ata po e përdorin këtë si një taktikë për të traumatizuar psikologjikisht këta burra – shumica e të cilëve janë muslimanë – me një simbol fetar”, tha Sapoch.

    Më 6 maj në Poljana, Bosnje, burime raportuan për NNK, se një grup njerëzish ishin sulmuar dhe spërkatur me bojë portokalli. Grupi gjithashtu kishte vjedhur paratë e tyre dhe telefonat mobil, disave iu kishin marrë këpucët.

    Më 7 maj, një grup tjetër u kthye në kampin Miral, jashtë Velika Kladushë duke përshkruar se kishin përjetuar një trajtim të ngjashëm.

    Policia kroate është kontaktuar për një koment rreth këtyre ngjarjeve. Më parë, autoritetet kanë theksuar nevojën për të mbrojtur kufijtë e tyre.

    Grupet e përditshme të azilkërkuesve përpiqen të kalojnë nga Bosnja në Kroaci, ku skuadrat e policisë i presin ata në kufi. Të armatosur me kamiona, pistoleta dhe syze për shikim natën, ata patrullojnë kufirin më të gjatë të BE-së.

    Azilkërkuesit e quajnë kalimin e kufirit “lojë”, por është një ndërmarrje e rrezikshme.

    Punëtorët ndihmues, mjekët, rojet e kufirit dhe zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë dokumentuar abuzimin sistematik dhe dhunën e kryer nga policia, me migrantë që shpesh rriheshin, grabiteshin dhe madje iu kishin hequr rrobat e tyre.

    Agjencia e refugjatëve, UNHCR, tha që ishte “thellësisht e shqetësuar për dhunën e raportuar dhe trajtimin e migrantëve dhe refugjatëve nga policia kroate”.

    “Organizata jonë ka marrë, dhe më pas ka ndarë me autoritetet, raporte të besueshme të njerëzve që pretendojnë se janë kthyer në mënyrë të paligjshme nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi”, tha Zoran Stevanović, zyrtari rajonal i komunikimeve të UNHCR për Evropën qendrore, për Guardian, transmeton Reporteri.

    “Këto raporte nxjerrin në pah problemet në lidhje me identifikimin e kërkesave për azil, dhunën dhe përdorimin e tepërt të forcës, identifikimin e personave të cenueshëm, trajtimin e fëmijëve të pashoqëruar”, tha ai.

    “UNHCR i ka kërkuar qeverisë kroate të hetojë të gjitha pretendimet e shkeljeve dhe abuzimeve, si dhe të krijojë një mekanizëm të pavarur vlerësimi për të vërtetuar faktet e situatës së kufirit”.

    Midis shtatorit 2019 dhe janarit të këtij viti, UNHCR raportoi para autoriteteve kroate 100 raste të pretendimeve të kthimit të paligjshëm nga Kroacia në Bosnjë dhe Serbi.

    Përkundër kësaj, Sapoch tha se në dy muajt e fundit organizata e tij ka vazhduar të marrë raporte për dhunë në kufirin e Bosnjës.
    Ai shtoi:

    “Të dëgjosh raportet e rritjes së brutalitetit është shqetësuese për shkak të rritjes së autonomisë që autoritetet shtetërore e kanë fituar gjatë këtyre kohërave të pandemisë. Tani, më shumë se kurrë, është e rëndësishme për ne t’i mbajmë përgjegjëse këto forca për veprimet e tyre”.

    “Kthimet me zor janë të paligjshme dhe përhapja e Covid-19 nuk është një justifikim për t’u përballur me njerëzit e cenueshëm edhe me më shumë dhunë. Është e papranueshme ”.

    Muajin e kaluar, autoritetet në Bosnjë urdhëruan transferimin e mijëra migrantëve në një kamp të largët në Lipa, një fshat rreth 25 km larg kufirit me Kroacinë, për shkak të shpërthimit të coronavirusit në vend.

    Ndërtimi i kampit të ri shkaktoi panik midis azilkërkuesve dhe vullnetarëve, të cilët kanë frikë se masa nuk do të garantojë asnjë ndihmë për migrantët./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!