Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi legjislacionin që u mundëson autoriteteve ruse të bllokojnë faqet e internetit dhe të miratojnë dënime për “lajme të rreme” dhe materiale që i konsiderojnë fyese për shtetin apo publikun.
Dy ligjet, që, sipas kritikëve, janë përpjekje e Kremlinit për të rritur kontrollin në internet dhe për të heshtur kundërshtarët, u nënshkruan nga Putin të hënën, thuhet në njoftimin e postuar në ueb-faqen e Qeverisë ruse.
Dhoma e Lartë e Parlamentit rus – Këshilli Federal – i miratoi ligjet më 13 mars, pasi Dhoma e Ulët – Duma e Shtetit – i miratoi ato më 7 mars.
Njëri ligj parasheh gjoba deri në 100,000 rubla, apo 1,300 euro, për, siç thuhet, “postimet e pahijshme online”, të cilat tregojnë “mungesë respekti për shoqërinë, vendin, simbolet shtetërore të Rusisë, Kushtetutën ose autoritetet”, trasnmeton REL.
Shkelësit e përsëritur mund të goditen me gjoba dyfish ose me 15 ditë burgim.
Me ligjin tjetër, autoriteteve u jepen kompetenca për të bllokuar faqet në internet që publikojnë materiale “mosrespektuese” ose “lajme të rreme”.
Rregullatori i medias në Rusi, Roskomnadzor, do t’iu japë përdoruesve të internetit 24 orë kohë për të hequr materialin, i cili cilësohet fyes për shtetin ose shoqërinë nga prokurori i përgjithshëm i shtetit ose zëvendësit e tij.
Ueb-faqet që nuk e bëjnë këtë, do të bllokohen, thuhet në ligj. /Reporteri.net/.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.