×
  • Lajme
  • Botë / Botë

    Putini premton armëpushim, nëse Ukraina tërhiqet nga zonat e okupuara

    Reporteri
    14 Qershor 2024 | 16:02

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është zotuar të premten se do të urdhërojë “menjëherë” armëpushim në Ukrainë dhe fillim të bisedimeve, nëse Kievi fillon t’i tërheqë trupat nga katër rajonet e aneksuara nga Moska më 2022 dhe të heqë dorë nga kërkesa për t’iu bashkuar NATO-s.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha më vonë të premten se ofertës së presidentit rus për armëpushim nuk mund t’i besohet.

    Duke folur për median italiane Sky TG24, në margjinat e samitit të G7-ës, Zelensky tha se beson që Putini nuk do ta ndalte ofensivën e tij ushtarake edhe nëse kërkesat e tij për armëpushim do të përmbusheshin.

    “Ne do ta bëjmë menjëherë”, tha Putin gjatë një fjalimi në Ministrinë e Jashtme të Rusisë në Moskë.

    Ai i bëri këto komente në një kohë kur liderët e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara të botës u takuan në Itali, dhe në prag të samitit për paqe në Zvicër, ku dhjetëra liderë nga e gjithë bota – përjashtuar Moskën – do të marrin pjesë këtë fundjavë për të diskutuar për hapat e parë drejt paqes në Ukrainë.

    Putini tha se propozimi i tij synon arritjen e një “zgjidhjeje përfundimtare” për konfliktin në Ukrainë dhe theksoi se Kremlini është “i gatshëm për t’i nisur bisedimet pa vonesa”.

    Kërkesa të tjera për paqe që lideri rus i nënvizoi përfshijnë edhe statusin e vendit jobërthamor të Ukrainës, kufizime ndaj forcave të saj ushtarake dhe mbrojtjen e interesave të rusëve që jetojnë në Ukrainë.

    Ai tha se të gjitha këto duhet të jenë pjesë e “marrëveshjeve thelbësore ndërkombëtare” dhe se Perëndimi duhet t’i heqë sanksionet kundër Rusisë, gjithashtu.

    “Ne bëjmë thirrje të kthehet kjo faqe e historisë dhe të fillojmë rikthimin e unitetit, hap pas hapi, mes Rusisë dhe Ukrainës dhe në Evropë në përgjithësi”, tha ai.

    Ky është një rast i rrallë kur Putini shpalos qartazi kushtet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ai nuk pati kërkesa të reja.

    Kremlini ka thënë edhe më parë se Kievi duhet t’i njohë rajonet e uzurpuara nga Moska dhe ta tërheqë kërkesën për anëtarësim në NATO.

    Rusia nuk i ka në kontroll të plotë asnjërin prej katër rajoneve që i uzurpoi jashtëligjshëm më 2022, por Putini nguli këmbë të premten se Kievi duhet të tërhiqet nga to plotësisht dhe t’ia dorëzojë ato Moskës.

    Në Zaporizhja në juglindje, Rusia nuk e ka në kontroll kryeqytetin e këtij rajoni i cili i ka 700.000 banorë, siç nuk e ka as në rajonin fqinj Herson./Radio Evropa e Lirë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!