×
  • Lajme
  • Botë

    Raporti i OKB-së nuk shfajëson asnjërën nga palët e përfshira në konfliktin në Siri

    Reporteri
    03 Mars 2020 | 13:31

    Në raportin e përpiluar nga hetuesit e Kombeve të Bashkuara, asnjë palë në konfliktin në Siri, përfshirë forcën ajrore ruse, ato të presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe Turqinë, nuk i shpëtuan fajësisë.


    Raporti prej 23 faqesh i Komisonit të Pavarur Ndërkombëtar thotë se të tre pjesëmarrësit kryesorë në luftë mund të jenë të përfshirë në krime lufte.

    Aty thuhet se ka arsye për të besuar se aeroplanët dhe pilotët rusë, kanë bombarduar qëllimisht një treg në Siri, duke vrarë 43 njerëz.

    Ndërkaq forcat e Assadit, dyshohen për bombardimin e spitaleve në Idlib, provincën e vetme që vazhdon të jetë nën kontrollin e rebelëve anti-qeveritarë.

    Sipas hetuesve të Kombeve të Bashkuara, edhe forcat turke mund të kenë kryer krime lufte me vrasjen e politikanit sirian-kurd, Hevrin Khalaf më 12 tetor.

    Komuniteti ndërkombëtar, në anën tjetër, fajësohet për mosofrimin e ndihmës së duhur për refugjatët e zhvendosur në kufirin sirian.

    Raporti është i 19-ti i tillë dhe mbulon periudhën nga 11 korriku i vitit të kaluar deri më 10 janar.

    Lufta civile në Siri ka filluar në mars të vitit 2011 dhe deri më tani mbi 400 mijë njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur./Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!