Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se beson që mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën do të vazhdojë edhe gjatë administratës së presidentit Trump.
Osmani ka thënë se që nga vitet e nëntëdhjeta Kosova ka pasur mbështetjen e çdo administrate amerikane, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Kosova ka pasur mbështetjen bipartizane të çdo administrate amerikane që nga fillimi i viteve ’90. Ne kemi qenë të bekuar me atë mbështetje, kemi çdo arsye të besojmë se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe me Administratën Trump. Unë besoj fuqishëm se bashkëpunimi i ngushtë mes BE-së dhe Amerikës do të vazhdojë, është në të mirë të sigurisë dhe paqes në botë”, tha Osmani në Budapest ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian.
Gjatë mandatit të parë të Donald Trump si President i SHBA-së (2016-2020), administrata e tij u përqendrua fuqimisht në atë që e quajti “normalizim ekonomik” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Republikani Donald Trump do të kthehet sërish në Shtëpinë e Bardhë, prej ku do t’i udhëheq Shtetet e Bashkuara të Amerikës për katër vjetët e ardhshme. Trump mposhti kandidaten demokrate Kamala Harris, duke fituar bindshëm.
Në Kosovë liderët shtetërorë teksa uruan Trumpin thanë se mezi presin të punojnë me administratën e re.
Në mesin e liderëve të parë që e uruan ishte edhe Presidentja Vjosa Osmani.
Osmani e uroi për fitoren kur Trump kishte 267 vota elektorale, e tha se mezi pret të punojë me administratën e re për të thelluar aleancën me ShBA’në.
“Shtetet e Bashkuara mbesin partnere të palëkundura dhe të domosdoshme të Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re, dhe të thellojmë lidhjet tona unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, shkroi Osmani në platformën “x”.
Për fitoren e uroi edhe Kurti, ndonëse ai priti më vonë, kur u konfirmua fitorja e tij.
Kurti tha se Shtetet e Bashkuara janë aleat kyç i Kosovës dhe se pret që të punojnë bashkë për progress dhe paqe.
“Urime Donald Trump për fitoren në zgjedhe. ShBA’ja është një aleat kyç, mik dhe partner i Kosovës dhe në presim të punojmë bashkë për progres dhe paqe”, shkroi Kurti.