×
  • Lajme
  • Botë / Samiti në Paris

    Scholz: Të mos ketë ndasi mes SHBA-së dhe BE-së në bisedimet për paqe në Ukrainë

    Reporteri
    17 Shkurt 2025 | 19:36

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje të hënën për unitet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara sa i përket përgjegjësisë dhe garantimit të sigurisë për Ukrainën.

    Ai i ka bërë këto komente pak orë pas deklarimeve të zyrtarëve amerikanë se Bashkimi Evropian mund të mos konsultohet për nisje të bisedimeve për paqe me Rusinë, me qëllim të dhënies fund të luftës në Ukrainë.

    “Nuk duhet të ketë ndasi për sigurinë dhe përgjegjësinë në mes të Evropës dhe SHBA-së”, ka thënë Scholz për gazetarët, pas mbajtjes së një samiti urgjent evropian në Paris.

    “Me fjalë tjera, NATO-ja funksionon mbi faktin se ne veprojmë gjithmonë së bashku dhe ndajmë rrezikun, dhe kështu edhe garantojmë siguri. Kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje”, ka thënë mes tjerash Scholz.

    Ukraina nuk do të marrë pjesë në bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë në Arabinë Saudite, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky para mediave në Abu Dabi, në nisje të vizitave të tij në Lindjen e Mesme, duke përfshirë edhe Arabinë Saudite dhe Turqinë.

    Zelensky ka thënë se Ukraina nuk është në dijeni të bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite dhe konsideron që asnjë negociatë për Ukrainën, por pa Ukrainën, nuk do të ketë rezultat.

    “Nuk mund të njohim asnjë marrëveshje për ne, pa ne”, u ka thënë Zelensky gazetarëve në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!