×
  • Lajme
  • Botë

    Sekretari Rubio: Veprimet e Dodikut kërcënojnë stabilitetin e Bosnjës, partnerët në rajon të kundërshtojnë këtë sjellje

    Reporteri
    08 Mars 2025 | 9:03

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se veprimet e presidentit të Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë po i minojnë institucionet e këtij shteti dhe se po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj.

    Por, në një postim në X, Rubio pati një thirrje për partnerët në rajon që t’i bashkohen SHBA-së në kundërshtimin e sjelljeve destabilizuese.

    “Veprimet e presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj. Kombi ynë inkurajon liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”, ka shkruar Rubio.

    Deklarata e Rubios vjen pas një disa veprimeve që ndërmori Dodik pasi më 26 shkurt, Gjykata e Bosnjës e dënoi atë me një vit burgim dhe shqiptoi ndalesë për gjashtë vjet të ushtrimit të postit të presidentit të Republikës Sërpska, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.

    Më pas, Dodik nënshkroi dekrete në Banja Luka për shpalljen e ligjeve që ndalojnë veprimtarinë e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial.

    Këto ligje u miratuan nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska në një seancë të posaçme më 27 shkurt dhe pas nënshkrimit të dekretit, ato u botuan në Gazetën Zyrtare të Republikës Srpska.

    Ligjet u pezulluan përkohësisht dje nga Gjykata Kushtetuese e BiH.

    Deklarata e Rubios vjen po ashtu edhe pas një një bisede telefonike mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit rus Vladimir Putin. Vuçiq pas kësaj bisede tha se Moska e mbështet legjitimitetin e Qeverisë së zgjedhur në Serbi dhe se gjithmonë e ka mbështetur entitetin Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.

    Vuçiq tha se gjatë bisedës telefonike lidhur me situatën në rajon, ai “përçoi mesazhin” e Dodikut te Putini.

    “Presidenti Putin i sheh përpjekjet dhe lëvizjet e përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë se kanë një qëllim, e që është rrëzimi i Millorad Dodikut. Federata Ruse gjithmonë ka mbështetur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe Republikën Srpska”, tha Vuçiq./Express/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!