Senati i kontrolluar nga republikanët ka shtyer përpara një masë që synon të kufizojë aftësinë e presidentit amerikan, Donald Trump, për marrjen e vendimeve ushtarake kundër Iranit.
Tetë republikanë kanë mbështetur demokratët në votimin fillestar të këtij dokumenti, transmeton Reporteri.net.
Rezoluta jodetyruese i kërkon Trumpit që të largojë trupat amerikane, të përfshira në armiqësi kundër Iranit, përveç nëse Kongresi shpall luftë apo miraton autorizim specific për përdorim të forcës ushtarake.
Trump dhe mbështetësit e tij kanë thënë se kjo masë do të dërgojë sinjal të gabuar në Iran dhe armiq tjerë potencialë.
“Është shumë e rëndësishme për sigurinë e shtetit që Senati i Shteteve të Bashkuara të mos votojë për rezolutën për Fuqitë e Luftës ndaj Iranit. Ne jemi duke kaluar mirë me Iranin dhe kjo nuk është koha për të treguar dobësi”, ka shkruar Trump në një postim në rrjetin social Twitter.
Megjithatë, senatori amerikan, Tim Kaine, që ka udhëhequr procedurat e kësaj rezolute, u ka thënë gazetarëve që ne nuk dërgojmë sinjal të dobësisë kur ngrihemi për sundim të ligjit.
Dhoma e Përfaqësuesve, e drejtuar nga demokratët, ka miratur një rezolutë të ngjashme muajin e kaluar, pasi demokratët dhe disa republikanë janë zemëruar pas dështimit të Trump për t’i informuar ata rreth strategjisë për Iranin.
Ky veprim ka ardhur pasi që Trump ka urdhëruar sulm me dron për të vrarë gjeneralin e forcave elite iraniane, Qasem Soleimani.
Trump nuk kishte informuar Kongresin për këtë vendim.
Në përgjigje të vrasjes së Soleimanit, Teherani ka nisur sulme me raketa në Irak, në dy baza ku strehohen ushtarët amerikanë.
Sipas kushtetutës amerikane, Kongresi ka fuqi për të shpallur luftë dhe jo presidenti./Reporteri/