Temperatura më e lartë në historinë e Evropës është regjistruar në Itali gjatë një vale nxehtësie që ka përshkuar vendin, ku raportet fillestare sugjerojnë temperaturën 48.8 gradë celsius.
Nëse kjo pranohet nga Organizata Botërore e Meteorologjisë, do ta thyejë rekordin e mëparshëm evropian prej 48 gradë celsius të regjistruar në Athinë më 1977. Temperatura u mat nga stacioni monitorues në Sicili dhe u konfirmua më pas nga autoritetet përkatëse.
Ky rezultat vjen pas një vale të nxehtë të ashpër që shtrihet përgjatë Mesdheut, në Tunizi dhe Algjeri. Zjarret kanë shpërthyer në pjesën më të madhe të rajonit për më shumë se një javë. Qeveria italiane ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Turqia dhe Greqia gjithashtu janë goditur nga zjarre të mëdha shkatërruese, shkruan The Guardian.
Meteorologu Trevor Mitchell ka thënë se të dhënat e tilla të temperaturave duhet të hyjnë në procese të verifikimit para se të deklarohen si zyrtare.
Temperatura rekorde kanë goditur Kanadanë, perëndimin e SHBA-së, Finlandën, Estonin, Turqinë dhe Moskën. Përmbytje të rënda kanë përshkuar Gjermaninë dhe pjesë të Kinës.