×
  • Lajme
  • Botë

    Skandali i përgjimit të opozitës ruse në Beograd, Kara-Murza “Vladimir Putin tashmë ka partner regjimin e Serbisë”

    Reporteri
    23 Janar 2022 | 14:03

    Derisa vëmendja e botës është e përqendruar, në mënyrë të arsyeshme, në kërcënimet në rritje të Kremlinit kundër Ukrainës, një skandal politik i ndodhur në Ballkan ka shërbyer si një kujtesë për të treguar se presidenti rus Vladimir Putin tashmë ka partner një regjim në Evropën Qendrore.

    Javën e kaluar, mediet e pavarura të Serbisë zbuluan se agjencitë e sigurisë të vendit, në fakt, po kryejnë detyra për Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) – duke ndihmuar Kremlinin që të ndjekë kundërshtarët e tij politikë.

    Majin e vitit të kaluar, një grup i ligjvënësve dhe aktivistë të opozitës ruse morën pjesë një seminar në Beograd. Takimi, i bashkëkryesuar nga opozitari Andrei Pivovarov Vladimir Kara-Murza ishte vazhdimësi e takimit të mëhershëm në Moskë, ku pas kësaj të pjesëmarrësit u arrestuan nga autoritetet ruse. Në kufijtë e Bashkimit Evropian, ende të mbyllur për qytetarët rusë – vaksina Sputnik V ende nuk njihet për udhëtime ndërkombëtare – Serbia ishte një nga destinacionet e pakta për aktivistët që kërkonin një vend të qetë për t’u mbledhur.

    Seminari me të vërtetë vazhdoi pa probleme, por skandali, tashmë i publikuar, nuk kishte ndodhur ende. Sipas një lajmi të raportuar për herë të parë nga shtypi serb në dhjetor të 2021-së, takimi ishte përgjuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, shkruan Kara-Murza për Washington Post.

    Një javë më vonë, ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin kishte fluturuar për në Moskë për t’ia dorëzuar transkriptet e përgjimit sekretarit të Këshillit rus të Sigurisë, Nikolai Patrushev, i njohur si një nga bashkëpunëtorët kyç të Putinit. Dy javë më vonë, Pivovarov u arrestua, sipas stilit bjellorus, në një aeroplan polak që do të nisej nga Aeroporti i Shën Petersburgut. Tashmë ai ndodhet në paraburgim dhe përballet me një dënim prej gjashtë vjetsh burg nën akuzën për “ndihmë ndaj një organizate të padëshiruar”.

    Sipas raporteve, Patrushev kishte falënderuar Vulinin për vigjilencën e tij, ndërsa televizioni shtetëror rus lavdëroi agjencitë serbe të sigurisë, duke e krahasuar Beogradin me kryeqytetet e Evropës Lindore që mirëpresin ngrohtësisht “rusofobët” – term i përdorur nga Kremlini për kundërshtarët politikë të Putinit. Përtej kësaj, ngjarja nuk ka marr shumë vëmendje, të paktën për momentin.

    Gjithçka ndryshoi një javë më parë, kur gazeta kryesore e pavarur e Serbisë publikoi lajmin në faqen e saj të parë, duke akuzuar qeverinë se vepron “në shërbim të regjimit të Putinit”. Opozita pro-demokratike e Serbisë, e cila pritet të fitoj në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të prillit, kritikoi presidentin Aleksandar Vuçiq për “shndërrimin e Serbisë në shërbim të të huajve”.

    Bashkimi Evropian, ku Serbia pret t’i bashkohet në vitin 2025, bëri thirrje publike për një hetim, ndërsa ligjvënësit e lartë evropian e dënuan veprimin e Beogradit për “bashkëpunim me një regjim autokratik”.

    “Serbia duhet të zgjedhë nëse dëshiron të transformohet me të vërtetë dhe t’i bashkohet [BE-së], apo të rreshtohet më tej me autokratët nga Moska dhe Pekini. Politika e uljes në dy karrige është e papranueshme”, kishte shkruar në Twitter deputetja gjermane në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

    Muajin e kaluar, Qeveria serbe hapi një raund të ri negociatash për anëtarësim në BE, që sipas zyrtarëve në Bruksel “është një hap i rëndësishëm”. Ky lajm, gjithashtu vjen në një kohë të rrikthimit të interesit amerikan në Ballkan, e veçanërisht në Serbi. Gjatë seancës së konfirmimit si ambasador në Beograd, Christopher Hill e quajti Serbinë “një partner të rëndësishëm sigurie për Shtetet e Bashkuara”, duke u zotuar se do ta ndihmonte vendin “të rezistoj ndaj ndikimeve të jashtme keqdashëse, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën”.

    Kjo situatë është tashmë e njohur, veçanërisht për dikë si Hill, i cili është marrë me Ballkanin që nga vitet 1990. Për vite me radhë, diktatori i atëhershëm jugosllav Slobodan Millosheviq kryesoi bastionin e fundit të autoritarizmit në Evropën Qendrore, duke e bërë regjimin e tij të famshëm për vrasjen e kundërshtarëve, censurën shtetërore, mashtrimin e zgjedhjeve dhe nacionalizmin e drejtuar nga shteti.

    Si Vuçiq ashtu edhe Vulin duhet ta mbajnë mend mirë, pasi kanë shërbyer, respektivisht, si ministër i Informacionit së Millosheviqit dhe si zëvendëskryetar i një partie të drejtuar nga gruaja e tij, Mirjana Markoviq.

    Në tetor të 2000-së, ai regjim u rrëzua derisa qindra mijëra serbë u mblodhën në rrugët e Beogradit në atë që u quajt “Revolucioni i Buldozerit” – i pari i një serie kryengritjesh pro-demokratike në shtetet postkomuniste që u zhvilluan në orët e para të qeverisjes së Putinit. Qeveria e re e Serbisë e dorëzoi ish-diktatorin për ta gjykuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku kaloi pjesën tjetër të jetë në paraburgim.

    Në takimin e fundit në Moskë, Vulin dhe Patrushev thuhet se janë pajtuar të themelojnë një “grup pune për të luftuar revolucionet me ngjyra” – një term që tregon kryengritjet pro-demokratike në shtetet autoritare – duke përfshirë shtimin e vëzhgimit të përbashkët të organizatave të shoqërisë civile, aktivistëve të opozitës dhe mediet e pavarura.

    Problemi si për shefat e sigurisë, ashtu edhe për drejtuesit e tyre politikë, është se kur mjaft njerëz në shoqëri janë të gatshëm t’i rezistojnë autoritarizmit, të gjitha përgjime dhe përpjekjet e vëzhgimit bëhen të pafuqishme. Ngjarja e fundit e ka treguar qartë këtë. Pyetni serbët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!